Korçë, Basha akuza qeverisë: PD drejton dhe udhëheq reformën në drejtësi

24/12/2015 00:00

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i ndodhur në Korçë në 25-vjetorin e krijimit të degës së kësaj partie në qytetin juglindor, ka përmendur disa nga arritjet e partisë që ai drejton tashmë në opozitë, si dhe ka akuzuar sërish qeverinë e majtë për korrupsion.

Gjatë këtyre 25 viteve, thotë Basha, PD-ja ka lënë gjurmën e saj në drejtimin e vendit, duke përmendur anëtarësimin e Shqipërisë në Këshillin e Europës, anëtarësimin në NATO, si dhe arritjen e marrëveshjes për lëvizjen e lirë dhe pa viza në shtetet europiane të zonës “Schengen”, ashtu sikurse edhe vendosjen e ekonomisë së tregut.

Por, më tepër sesa analiza e arritjeve të PD-së, kryeopozitari Basha është ndalur në kritikat ndaj qeverisjes aktuale të drejtuar nga Rama dhe Meta, për të cilën thotë se, nga selia blu e kishin parashikuar që dy vite më parë se çfarë do të prodhonte kjo mazhorancë.

“400 milionë lekë kanë vjedhur në dogana e tatime, 700 milionë të tjera nga tenderat, që përfundojnë në xhepat e Ramës dhe hajdutëve të tjerë. Në Shqipëri nuk ka shkolla, rrugë, spitale të reja, nuk ka rritje pagash dhe pensionesh, nuk ka rritje të ndihmës ekonomike, nuk ka subvencione, sepse paratë përfundojnë në xhepat e qeveritarëve”, është shprehur Basha.

Nga Korça, Basha i është rikthyer edhe një akuze të vjetër, asaj të vjedhjes së votave, duke akuzuar mazhorancën aktuale se kërkon të kapë me çdo kusht edhe institucionin e fundit të llogaridhënies, votën e lirë.

“E testuan në zgjedhjet vendore në Korçë dhe e shtrinë më 21 qershor në të gjithë Shqipërinë. Kjo qeveri, në dy vite nuk ka çfarë të tregojë, sepse s’ka asnjë reformë, asnjë arritje, por vetëm 1.2 miliardë dollarë të vjedhura”, u shpreh Basha.

Sigurisht nuk mund të mos nxirrte në pah edhe atë që e konsideron si arritje të opozitës, kur vjen fjala te ligji i dekriminalizimit.

“Ne si opozitë vijmë me reformën më të madhe në këtë vend, reformën për dekriminalizimin. Një vit më parë i ulëm dhe i detyruam me faktorin ndërkombëtar të nënshkruajmë marrëveshjen. E vonuan një vit. Bënë ç’të mundeshin, por s’e ndalën dot”, tha Basha, duke ia faturuar sërish PD-së edhe perspektivën për reformën në drejtësi.

“Tashmë, siç u faktua edhe dje, Partia Demokratike drejton dhe udhëheq reformën në drejtësi. Ne nuk kemi vetëm denoncimin, ne kemi alternativën, kemi platformën tonë. Testi i parë se platforma funksionon është Edi Rama, i cili për faktin që nuk merr vesh nga ekonomia, nuk di as ta kopjojë e jo më ta zbatojë”.

Top Channel