Universiteti i Gjirokastrës kërkon ndjesë për dokumentarin deformues historik

22/12/2015 00:00

Rektori i Universitetit “Eqerem Çabej” në Gjirokastër ka reaguar pas reportazhit të ciklit “Shqipëria Tjetër” të gazetarit Marin Mema, ku denoncohej prodhimi i dy dokumentareve me përmbajtje antikombëtare, duke përdorur logon e këtij institucioni arsimor.

Në dokumentarin e parë ku flitej për antikitetin zona të tëra në jug dhe juglindje të vendit konsideroheshin të lidhura me mitet greke dhe pjesë e të ashtuquajturit Vorio Epir.

Duke filluar nga Bylisi, Oriku, Amantia, Apollonia, Selenica e me rradhë jepeshin fakte të cunguara e të manipuluara. Ndërkohë në dokumentarin e dytë që ka lidhje me përvjetorin e fitores mbi fashizmin justifikohej ligji i luftës dhe akuzohej popullsia çame për lidhje me pushtuesit. Në reagimin zyrtar universiteti “Eqerem Çabej” ka kërkuar falje përmes rektorit Gëzim Sala, i cili ka theksuar se ky institucion nuk ka pasur djeni për realizimin e këtij dokumentari dhe se kërkon marrjen e masave për këtë rast.

“Lidhur me përgjegjësit e këtij incidenti, se unë do ta quaj incident, do të mbajë përgjegjësi ata që e kanë krijuar dhe kemi ngarkuar në mënyrë institucionale, përgjegjësin e departamentit të Historisë lidhur me dhënien e përgjigjes së atyre tezave antishkencore që ngrihen në këto dy dokumentarë”, thotë Gëzim Sala, rektor i universitetit “Eqerem Çabej”.

Dokumentarët mbajnë logot e universitetit “Eqerem Çabej dhe për më tepër i gjithë realizimi është bërë duke shfrytëzuar pajisjet dhe ambientet e Televizionit Publik Shqiptar, dega Gjirokastër, një tjetër skandal edhe ky.

Ndërkohë elementë të ndryshëm nuk gjenden vetëm në gjuhën greke por edhe në atë shqipe dhe mund të lexohen nga kushdo në këtë faqe. Ndërkohë, kreu i departamentit të historisë në këtë universitet mendon se kjo problematikë do trajtuar qartë dhe përfundimisht. Sipas tij, pas dokumentarëve fshihet edhe roli i historiografisë greke.

“Nëse rrethanat politike apo rrethana të tjera të qarta janë të ndryshme dhe u intereson të marrin segmente të kësaj historie dhe të nisen nga ditët e sotme për të gjykuar historinë e kaluar të Epirit, kjo besoj se është tepër e gabuar”, thotë Shyqyri Hysi, shef i katedrës së historisë.

Por drejtuesi i departamentit të Gjuhës dhe letërsisë greke në këtë universitet dhe një prej realizuesve të dokumentareve Panajot Braka hedh poshtë akuzat duke theksuar se gjithçka është e bazuar në të dhëna historike dhe shkencore.

“Dokumenti është dokument dhe nuk ka frymë nacionaliste, ai është një e vërtetë. Së fundmi dua të them që e gjithë kjo është përdorur ndaj personit tim për të nxitur ekstremist nacionalistë shqiptarë. Unë do të përgatis një material që po i kërkojë instancave të caktuara shtetërore, mbrojtje nga kërcënimet fizike që më bëhen mua dhe familjet sime”, tha Barka.

Nuk dihet sesa të dhëna shkencore janë ato që e konsiderojnë Gjirokastrën të themeluar nga një Dropullit, apo që lidhin jugun e juglindjen e Shqipërisë me Vorio Epirin, që justifikojnë ligjin e luftës e kriminalizojnë popullsinë çame por në këtë rast gjykimin përfundimtar mund ta japin lehtësisht organet përkatëse.

Top Channel