
Kërkimi shkencor është një nga shtyllat e rëndësishme të ligjit të Arsimit të Lartë, por edhe një ndër pikat ku Shqiperia do të vlerësohet si vend kandidat për Bashkimin Europian.
Në buxhetin e këtij viti kërkimi shkencor zë vetëm 0.4 % të GDP-së, nga 1 deri ne 2% që është rekomandimi i BE-së.
“Me hapjen e negociatave siç e dini, agjencia që unë përfaqësoj por edhe Ministria e Arsimit raporton në mënyrë të veçantë për Kapitullin 25, që është një kapitull që lidhet drejtpërdrejt me politikën në fushën e kërkimit shkencor dhe inovacionin. Por një nga elementët bazë me të cilat matet ecuria e Shqipërisë në këtë kapitull është sasia e financimit të kërkimit shkencor që në nivele optimale duhet të jetë 1 deri 2% të GDP-së”, deklaroi Geron Kamberi, drejtor i Agjencisë së Kërkimit, Teknologjisë dhe Inovacionit.
Prej disa javësh, agjencia e cila drejtohet nga Geron Kamberi është mbyllur me vendim të Këshillit të Ministrave, por kreu i saj sqaron se kjo strukturë do të reformohet dhe do të jetë pjesë thelbësore e Agjencisë së Kërkimit Shkencor.
“Pjesë të këtij financimi një rol kryesor do ta luajë Agjencia kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit. Do të jetë një evoluim i agjencisë aktuale që praktikisht është e mbyllur, por pritet që fusha e saj t’i transferohet Agjencisë kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit që parashikohet në nenin 12 të ligjit për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin shkencor dhe në këtë mënyrë një pjesë e fondeve që do të jepen për universitetet, ku departamentet do të jenë bazë ku do të zhvillohët kërkimi shkencor, do të kenë një fond të posaçëm për infrastrukturën e kërkimit shkencor”, vazhdoi Kamberi.
Universitetet publike dhe jopublike duhet të kryejnë kërkim shkencor, i cili do të drejtohet nga departametet të cilat duhet të kenë një strategjit të përcaktuar. Në vendin tonë këto qendra kanë një infrastrukturë të dobët çka e bën të vështirë zhvillimin e kërkimit.
“Niveli, sasia dhe cilësia e kërkimit shkencor që zhvillohet në universitetet tona mbetet ende e ulët dhe e pamjaftueshme dhe veçanërisht ballafaqimi i kësaj cilësie të kërkimit shkencor me pjesën tjetër është prapë një sfidë më vete që do të kërkojë kohë, energji dhe financime”, shprehet Kamberi.
Bujqësia, energjia, menaxhimi i ujrave dhe shëndetësia jane disa nga prioritetet e Shqipërisë ku duhet të drejtohet kërkimi shkencor. Para viteve ’90-të në të gjithë vendin numëroheshin 60 qendra të kërkimit shkencor pa përfshirë universitetet, ndërsa tani janë vetëm 40 dhe këtu futen edhe universitetet publike dhe jopublike.
Top Channel