Berisha nuk paraqitet në SPAK për 21 Janarin. Prokuroria e Posaçme ia çoi fletëthirrjen në Kuvend, grupi i PD e refuzoi
Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani mbrojti propozimin e qeverisë për aministinë në burgje dhe ngriti edhe njëherë tjetër problemin e mbipopullimit.
Në fjalën e mbajtur në Kuvend, ai tha se aktualisht 6314 persona janë në qelitë e institucioneve shqiptare, pjesa më e madhe e të cilëve në paraburgim në pritje të një vendimi të gjykatës për ta. Pikërisht për shkak të këtyre shifrave, Manjani kërkoi rishikimin e sistemit të ndjekjes penale.
“Jemi në mbipopullim që nuk është një problem i ri, është ndër vite. 5484 persona është kapaciteti aktualisht në sistemin tonë dhe kemi 6314 persona të dënuar dhe të paraburgosur. Pra jemi në kushtet e asaj që quhet mbipopullim. 3078 janë të dënuar dhe 3236 të paraburgosur. Pra sistemi ynë i ndjekjes penale është në kolaps ose është në prag kolapsi. Duhet reformë e thellë në sistemin e ndjekjes penale sepse na prodhon më shumë të paraburgosur sesa të burgosur”, tha Manjani, duke shtuar se këtë problem e ka ngritur edhe me Prokurorinë e Përgjithshme dhe institucione të tjera.
Lidhur me kritikat e opozitës, Manjani tha se vendimi i takon Kuvendit.
“Detyra e qeverisë është të shpjegojë situatën, ndërsa kompetenca është e këtij Parlamenti. Nëse do Parlamenti amnistia bëhet, nëse nuk do Parlamenti, amnistia nuk bëhet”, deklaroi ai.
Lidhur me reformën në drejtësi, ministri Manjani u shpreh se Venecia ka një opinion orientues paraprak mbi të cilin mund të vijojë puna.
Top Channel