Greqi, konservatorët votojnë për kreun e ri të tyre

20/12/2015 00:00

Prej mëngjesit të së dielës, konservatorët grekë votojnë për udhëheqësin e tyre të ri. Kjo është hera e dytë, që ata shkojnë para kutive të votimeve brenda një muaji, pasi procesi i parë i votimit dështoi për shkak të organizimit të dobët të kompanisë, që kishte marrë përsipër anën teknike të votimit dhe të rezultateve elektronike.

Katër janë kandidatët që pretendojnë kreun e një prej partive më të fuqishme në historinë greke, pas juntës ushtarake të viteve 1967-1974. Edhe Evangjelos Meimarakis, që mori drejtimin e përkohshëm të “Demokracisë së Re”, pas humbjes së kryeministrit Antonis Samaras janarin e kaluar kundrejt radikalëve të majtë, dështoi dy herë përballë Alexis Tsipras me referendumin dhe zgjedhjet e shtatorit, e tashmë kërkon një votë legjitime të përkrahësve konservatorë.

Rivali i tij kryesor është Kiriakos Mitsotakis, djali i ish-kryeministrit Konstandinos Mitsotakis dhe vëllai i ish-ministres së Jashtme, Dora Bakojanis. Në garë ndodhet edhe guvernatori aktual i Qarkut të Maqedonisë Qendrore, Apostolos Tzitzikostas, si dhe deputeti i “Demokracisë së Re”, Adonis Georgiadis.

Sfidë kryesore e zgjedhjeve për kreun konservator është pjesëmarrja e madhe, në një moment kur – sipas sondazheve mediatike të fundjavës, – 34 për qind e grekëve janë të zhgënjyer nga partitë politike dhe nuk përkrahin asnjë prej tyre.

Që të zgjidhet menjëherë, njëri prej 4 kandidatëve duhet të sigurojë shumicën absolute të votave. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë më 10 janar do të zhvillohet raundi i dytë midis dy kandidatëve që kryesojnë prej raundit të parë.

Zgjedhja e kreut të ri konservator konsiderohet si një zhvillim tepër i rëndësishëm politik në vend për periudhën historike që po kalon Greqia. Kjo për arsye se, të djathtët vlerësojnë se qeveria “Tsipras” nuk do ta ketë të gjatë rezistencën e saj, për shkak të masave të vazhdueshme që do të duhet të marrë, në këmbim të ndihmës financiare nga huadhënësit.

Megjithëse grekët akuzojnë për krizën ekonomike socialistët dhe konservatorët, që kanë shkëmbyer midis tyre pushtetin në Greqi për pothuajse 4 dekada, dhe bashkëqeverisën duke zbatuar masa të ashpra financiare, “Demokracia e Re”, në dallim nga socialistët e PASOK-ut, ka arritur të mos reduktojë fuqinë e saj dhe të jetë përsëri një parti rivale. Në kampin blu janë të bindur se, së shpejti do të krijohen kushtet që përsëri të djathtët të vijnë në pushtet.

Top Channel