Ishin kritikuar shumë gjatë kohëve të fundit për rezultate dhe ndeshje jo në nivelin e pritshëm nga ata, por ndaj Vallecano-s Reali i Madridit u rikthye fuqishëm, duke realizuar një fitore nga ato që ndodhin rrallë në futboll. Madrilenët fituan 10-2, ku në minutën e 12 të ndeshjes ishin në disavantazh. Ndeshja e tretë me më shumë gola për Realin në të gjithë historinë e tij.
Serinë e golave e hapi Danilo që në minutën e tretë të ndeshjes. Por më pas Vallecano surprizoi duke kthyer rezultatin në 1-2. Amaya dhe Jazabed ishin autorët e golave, por pas minutës së 12 gjithçka ishte për t’u harruar për miqtë.
Tito dhe Baena u ndëshkuan me kartonë të kuq, duke e lënë ekipin e tyre me 2 lojtarë më pak, ndaj një Reali te etur për gola.
Gareth Bale realizoi katër gola, për herë të parë në karrierën e tij. Tre herë shënoi edhe Benzema, ndërsa nuk mund të mungonte Ronaldo, i cili u tregua disi i kursye krahasuar me shokët e ekipit. Ai shndërroi në gol një 11-metërsh, ndërsa më vonë realizoi edhe një tjetër në aksion.
Pavarësisht kësaj fitoreje me 10 gola, Reali gjendet vetëm në vendin e tretë në La Liga, dy pikë më pak se Barcelona dhe Atletico Madrid, që kanë nga një ndeshje më pak.
Top Channel