Ligji i dekriminalizimit i miratuar një ditë më parë në Kuvend do i shërbejë të ardhmes është shprehur kreu i LSI-së, Ilir Meta pas takimit të krerëve të maxhorancës.
“Jemi të vendosur për zbatimin e ligjit dhe nuk ka rëndësi se sa emra do të penalizohen nga ky ligj. E rëndësishme është që qytetarët shqiptarë do të jenë më të qetë për integritetin e përfaqësuesve publikë. Jo vetëm sot, por dhe në të ardhmen”, tha Meta.
Duke iu përgjigjur pyetjes së Top Channel mbi mundësinë e një referendumi për reformën në drejtësi, nëse nuk ka konsensus maxhorancë- opozitë, Meta mbështeti një zgjidhje parimore.
“Unë mendoj se nuk kemi pse të paragjykojmë as opozitën dhe as një faktor tjetër politik. Mendoj se të gjithë kemi pranuar dhe vlerësuar si mjaft të rëndësishme për të respektuar jo vetëm parimet e shtetit të së drejtës por dhe themelet e Kushtetutës sonë për të bashkëpunuar me Komisionin e Venecias. Unë besoj se do të dëgjojnë shqetësimin e qytetarëve shqiptar dhe do të dijnë t’i japin zgjidhje parimore dhe gjithëpërfshirëse kësaj reforme”, vijoi Meta.
Reforma zgjedhore ka qënë në fokus të takimit të së premtes të njësisë së koordinimit të maxhorancës, për të cilën Meta foli për një reformë të qëndrueshme dhe afatgjatë.
“Kemi hapa të tjerë përpara, kemi reformën në drejtësi, komisionin e përbashkët për t’iu përgjigjur në kohë rekomandimeve të OSBE/ODIHR që zgjedhjet e ardhshme të jenë të standarteve të larta dhe mjaft çështje të tjera që kanë të bëjnë me ecurinë e reformëns në vend”, tha Meta.
Top Channel