SHBA-BE përshëndesin dekriminalizimin: Më i ashpri në Europë

17/12/2015 18:45

Ambasada Amerikane në Tiranë ka qenë një prej investitorëve më të mëdhenj në procesin e gjetjes së gjuhës së përbashkët mes opozitës dhe maxhorancës për dekriminalizimin dhe si e tillë ishte e para përfaqësi diplomatike në vendin tonë që përshëndeti votimin pro në Kuvend.

Përmes një postimi në faqen zyrtare në Facebook, ambasada e cilëson këtë ligj më të ashprin në Europë dhe njëhap i mirë drejt qeverisjes së pastër dhe fundit të korrupsionit.

“Ambasada e SHBA mirëpret vendimin e guximshëm të parlamentit shqiptar për miratimin e ligjit për dekriminalizimi. Ky ligj është më i ashpri në Europë kundër kriminelëve në politikë. Ndërkohë që ky ligj është rezultat i punës së madhe si nga shumica ashtu edhe nga opozita, në fund të fundit ai është një fitore për qytetarët shqiptarë që duan qeverisje të pastër dhe fundin e korrupsionit. Ndërsa mbetet ende shumë punë për t’u bërë në luftën e Shqipërisë kundër krimit dhe korrupsionit, ky ligj përfaqëson një hap të rëndësishëm për të ulur ndikimin e elementëve kriminalë në vend”, thuhet në deklaratë.

Edhe delegacioni i BE-së përshëndet miratimin e ligjit për dekriminalizimin në Kuvend, me një vendim të parlamentarëve shqiptarë të fuqishëm dhe unanim.

“Ky ligj pritet të forcojë sundimin e ligjit dhe të rrisë integritetin e të zgjedhurve në mesin e zyrtarëve publikë, të forcojë luftën kundër korrupsionit, por edhe të rrisë besimin e qytetarëve në funksionimin e shtetit dhe institucioneve shtetërore. Miratimi i kësaj pakete legjislative tregon se dialogu konstruktiv ndërpartiak është mënyra më e mirë për të ndjekur reformat e tjera të nevojshme për vendin”.

Më tej, delegacioni i BE-së në Tiranë “u bën thirrje të gjitha partive politike në Shqipëri që të angazhohen në dialog konstruktiv për të gjitha sfidat e tjera të rëndësishme dhe shumë delikate të formave në Shqipëri, mbi të gjitha për reformën e drejtësisë. Progresi në agjendën e reformave është vendimtare për të çuar më tej rrënjosjen e sundimit të ligjit dhe për ta çuar vendin përpara në rrugën drejt integrimit europian”, thuhet në deklaratën e delegacionit të BE-së.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA