Opozita kërkon rezolutë për tërheqjen e medaljeve

17/12/2015 00:00

Parlamenti ka nisur me tensione pas kërkesës së PD-së për mbledhjen e grupit të saj. Edi Paloka bëri të ditur qëndrimin e marrë në këtë mbledhje që brenda seancës së sotme, të mblidhet një komision dhe të hartohet një rezolutë për tërheqjen e medaljeve.

“Të kërkojë heqjen e menjëhershme të këtyre dekoratave që ka dhënë kjo qeveri për kriminelët e komunizmit, heqjen e menjëhershme të atyre që dihet se kanë lyer duart e tyre në gjakun e qytetarëve të pafajshëm për këto, meqënëse dhe kryeministri juaj na doli dhe bëri të paditurin për këtë çështje, le ta tregojë vullnetin sot dhe të bashkohet me opozitën, dhe meqë Parlamenti nuk ka seanca të tjera që mund ta kryejmë këtë akt madhor u kërkojmë që sot të ngrihet një grup të përgatisi rezolutën që të miratohet sot”, tha Paloka.

Por ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli deklaroi se qeveria ka nisur punën për tërheqjen e këtyre dekoratave, dhe ndryshimin e ligjit të vitit 1994 për kategorizimin e veteranëve, për të hequr këtë kategori personash.

“Zotërinj të opozitës të them të drejtën jeni kujtuar vonë, kanë kaluar 25 vjet për të bërë këtë propozim që vjen si shkak i një ligji, VKM-je, komisionit të ngritur të bazuar në këtë ligj e VKM, lidhur me këtë listë famëkeqe të veteranëve të kategorisë A. E kemi nisur punën për të dalë nga ky qorrsokak ku na keni futur. E kemi filluar punën jo vetëm për tërheqjen e medaljeve të dhëna, për shkak të vendimeve të mara 20-vjet më parë. Por do ta vazhdojmë këtë gjë, se nuk mund të mbetemi dhe të kemi mbi kurriz një faj të një natyre që ne nuk na takon se nuk jemi ne gjeneruesit”, tha ministrja Kodheli.

Top Channel