
Në fjalën e mbajtur në Kuvend, ish-ministri i Financave, Ridvan Bode deklaroi se buxhetit të shtetit për vitin 2015 i mungojnë 430 milionë dollarë, që duhet të mblidheshin nga rritja e taksave dhe rritja ekonomike.
“Qeveria vendosi 430 milionë dollarë taksa shtesë për qytetarët. Por çfarë ndodhi? Nga këto taksa që kjo qeveri gostiti shqiptarët, 90 përqind e tyre janë taksa që paguhen nga qytetarët dhe vetëm 10 përqind taksa të shtuara për bizneset. Kemi të bëjmë jo thjeshtë me një pamundësi për të paguar taksat, por edhe me rritje të evazionit fiskal. Duhet të kishim edhe 160 milionë dollarë taksa të reja, por efekti i tyre do të jetë i shuar pasi në fund të 2015 në buxhet do të ketë të njëjtin vëllim të ardhurash. Ne në korrik ulëm programin e të ardhurave të qeverisë me 230 mln dollarë dhe tani vijmë që kemi edhe 200 mln dollarë deri në fund të vitit taksa më pak që duhet të vinin nga rritja ekonomike. Edhe për vitin 2016 programohet që të ketë një rritje taksash dhe të ardhurash që nuk do të vijë”, tha Bode.
Ish-ministri demokrat qortoi masat e zgjedhura nga qeveria dhe mazhoranca aktuale për të mbledhur të ardhurat. Ai tha se efekti i këtyre masave do të jetë i kundërt me ato të parashikuara nga qeveria.
“Qeveria, në vend që të aplikonte një politikë më miqësore dhe jo me fushata policore, vijon të këmbëngulë përmes dhunës dhe rritjes së taksave dhe presionit se do t’ia dalë të mbledhë në 2016 ato që humbën në për këtë vit. Rritja e presionit dhe dhunës mbi biznesin dhe qytetarët nuk do të sjellë gjë tjetër veçse humbje të mëtejshme të kapaciteteve që ka vendi për të investuar dhe punësuar”, u shpreh ai.
Lidhur me projektbuxhetin, Bode tha se investimet publike të qeverisë parashikohen në minimumin historik dhe se gjysma e buxhetit, sipas tij, shkon për shpenzime luksi të qeverisë.
“4 përqind nuk ka ndodhur asnjëherë më parë në qeverisjen qendrore. Asnjëherë nuk kanë qenë në këto nivele, ndërkohë 50 përqind, si asnjëherë tjetër shkojnë për shpenzime administrative”, deklaroi Bode.
Për ish-ministrin e qeverisë Berisha e ardhmja e ekonomisë së vendit nuk premton asgjë dhe se vetmja që nuk e sheh këtë është qeveria.
“Perspektiva është e zymtë. Indeksi i konsumit ka rënë me 6 përqind në krahasim me një vit më parë. Të gjithë e shohin, por kjo qeveri në mënyrë krenariste thotë që vijojmë të rrisim ekonominë. Ky ligj nëse do të kishte një farë efekti zbutës, duhet të ishte ndryshe. Për këtë arsye jemi kundër këtij projektligji të qeverisë”, deklaroi Bode.
Blushi: Referendum për reformën në drejtësi
Referendum për reformën në drejtësi është artikuluar për herë të parë në Kuvendin e Shqipërisë nga deputeti socialist, Ben Blushi. Duke iu përgjigjur kërkesave të Partisë Demokratike, Blushi tha se ky referendum mund të jetë një rast i mirë i zgjedhjeve të parakohshme.
“Plani juaj ka dy kërkesa. Qeveri teknike, zgjedhje të parakohshme, është normale që çdo opozitë ta kërkojë. Por kërkoni qeveri teknike? Pse teknike është qeveria që kemi ne, e kemi. Nuk do ishte mirë as për ju. Doni qeveri më politike se kaq, kjo maxhorancë mos t’ua japi po do ishte më keq për ju. Kërkoni zgjedhje, është normale, kemi kërkuar ne 8 vjet rresht çdo ditë. Po ka një mundësi, e kam vërtetë. Po flitet shumë këto ditë për reformën në drejtësi dhe perceptimi është që ju nuk e doni. Nuk e do PD thonë dhe ndërkombëtarët. Nëse ka një gjë që duhet diskutuar është reforma në drejtësi. Në fakt referendum janë zgjedhjet e parakohshme. Rrugë tjetë për të pastruar politikën nuk ka. Kjo klasë nuk është pastruar me zgjedhje, por të pastrohet nga drejtësia. Pra, reforma në drejtësi qoftë me referendum qoftë me Parlament mund të jetë mundësi e artë për ta kryer”, tha Blushi.
Duke komentuar protestat e opozitës, Blushi tha se ajo ka dy mundësi, ose të shkojë drejt 21 janarit 2011, ose drejt 14 shtatorit 1998.
“Po të isha anëtar i PD nuk do shkoja te protesta e PD jo se jam kundërshtar, po nuk keni asnjë mundësi për të frymëzuar ata që vërtetë duan të protestojnë në Shqipëri. Kjo e sotmja nuk ishte protestë po çregullim në trafik,dhe nuk po e krahasoj me atë para një jave po ishte si takimi i një muratori të pavarur. E para e kthyet bunkerin në tallaz. Gjëja më e mirë që bëtë që hoqët teneqet dhe patë ca kishte mbrapa. Ai nuk është vepër arti, dhe ne duhet të ishim mtë kujdesshëm për arsye historike. Është njësoj si një shtyllë betoni ta quash skulpturë. Po nuk është kjo çështja. Atë ditë më kujtuat 14 shtator 1998 dhe 21 janar 2011. Jeni e vetmja parti që dhunoni dhe kur jeni në pushtet dhe në opozitë. Dhe kur ishit në opozitë në 14 shtator i ratë institucioneve, zyrat ku ne punoim u mbushën me plumba, dhe këtu gjysma e deputetëve të PD nuk e mbajnë mend ça ka ndodh. Ishte grusht shteti. Më 21 janar vratë 4 vetë. Pyetja që kam unë ‘Ku do shkoni?”. Do shkoni drejt 21 janarit apo 14 shtatorit, nuk keni mundësi të tretë”, tha Blushi.
Duke folur për projektligjin e decentralizimit Blushi tha se ajo garanton reformën territoriale që të jetë funksionale.
Pollo: Falenderoj ata që i vunë zjarrin bunkerit
Deputeti i Partisë Demokratike, Genc Pollo, gjatë fjalës së tij në seancën plenare deklaroi se “ndërtimi me para’ publike i simbolit të komunizmit në qendër të qytetit është fyerje, arrogancë dhe sfidë” dhe për këtë arsye ai falenderoi të gjithë ata që e dogjën në protestën e 8 dhjetorit.
“Ndërtimi me para’ publike i simbolit të komunizmit në qendër të qytetit është fyerje, arrogancë dhe sfidë. Edhe pse nuk shquhem si nxitës i dhunës, unë falenderoj ata që shprehën dëshirën e qindra mijërave që i vunë zjarrin një njolle të tillë”, tha Pollo.
Në lidhje me vlerësimin e torturuesit të At Zef Pllumit dhe Sami Rrepishtit, Pollo deklaroi: “Kryeministri nuk shpjegoi pse ia dha medaljen. E zëmë se nuk e dinte për kë bëhej fjalë, por le ta anulojë. Kaq është kërkesa e Partisë Demokratike. Nëse nuk e anulon dot vetë, ta bëjë me kërkesë të Parlamentit”.
Rama: Nuk ishte dekoratë, por medalje
Kryeministri Edi Rama iu kthye çështjes së vlerësimit të torturuesit të Sami Rrepishtit dhe At Zef Pllumit, duke thënë se nuk bëhej fjalë për dekoratë, por për medalje, që është thjesht një dëshmi se personi në fjalë ka qenë në listën e veteranëve.
“Çfarë lloj mendjeje je? Si ka mundësi? Del këtu e lexon ligjin, e pastaj thua ligji është në rregull, po e shkelëm ne. Po këtu lind problemi tjetër. Pse shkleja e këtij ligji? Ja ku e ke, lista e veteranëve të kategorisë së parë. 3.5.1995, vendimi i qeverisë tënde. Mirë vendimi i qeverisë në shkelje të ligjit që paske bërë vetë, po pensionet e posaçme për Nexhmijen, Arianitin, si të shpëtuan ato ty që nuk të shpëton asgjë? Pse u kujtove tani? Medalja është dëshmi e të qënit në këtë listë, nuk është dekoratë. Më e bukura është që u kujtove një vit me vonesë. Ti ngatërron dekoratën me medaljen. Ajo nuk ishte dekoratë, por ti nuk i kupton këto. Ti nuk vjen dot në qytetërim. Medalja është e ndarë nga dekorata”, tha Rama.
Më pas, Rama theksoi se qeveria e tij ka bërë në dy vjet dyfishin e legalizimeve që ka bërë PD-ja në 8 vjet.
“Kemi bërë 40 mijë legalizime, dyfishin tënd në 8 vjet. Ti je kryeministri që duhet t’i kërkosh ndjesë banorëve të Bathores”, nënvizoi kryeministri, i cili e mbylli me një batutë për Berishën: “Do të të bëj monument kulture, pasi je simboli i antishtetit. Këtu do të të mbaj gjithmonë që shqiptarët ta dinë gjithmonë se nga çfarë kanë shpëtuar”.
Kjo ishte përgjigja e Berishës: “Gjatë qeverisjes sime bëmë investime të mëdha. Vetëm për fermerët e bregut të Sarandës dhe Delvinës, u financuan mbi 700 projekte. Në energjitikë u investuan në Konispol të paktën 40 milionë euro dhe unaza e jugut, e tëra, është vepër e qeverisë së mëparshme që Rama po shkon dhe e inauguron segment për segment”.
Më tej, ai tha se legalizimet do i bëjë të gjitha PD-ja falas: “Mos paguani asgjë për legalizimin e shtëpive pasi do jua legalizojë të gjitha Partia Demokratike me vetëm 1 euro. U tha se do legalizohej falas, por tani përcaktohen çmimet sa qimet e kokës. Edi Ramës i ka hyrë jo lepuri, por Saliu në bark dhe po vdes nga frika”.
Rama: Berisha, kryefalsifikator i 25 viteve. Berisha: Rama ka kompleksin e turpit
Duke cituar fjalë të ish kryeministri Sali Berisha ndër vite, Rama tha se loja mbetet po ajo, por ndryshojnë vetëm emrat. Rama tha se opozita është vonë për rezolutën për medaljen, pasi tashmë ka nisur puna për të tërhequr medaljet.
“Të gjitha mbarojnë me shprehjen se shqiptarët e marin shumë seriozisht politikën, por politika është lojë njësoj si loja e bunkerit, medaljeve, … E njëjta lojë vazhdon prapë, thjesht kanë ndryshuar personazhet, kënga është po ajo.. e njëjta lojë vazhdon dhe me Saimir Tahirin, dhe me Ilir Beqjan, Damian Gjiknurin e këdo tjetër që mundohet të bëjë diferencën me ide, projekte e punë. Emrat janë të rastit, loja është e njëjta. Sa për të ardhur konkretisht te medalja, jeni shumë vonë. Jeni shumë vonë sepse ne e kemi marrë ndërkohë edhe vendimin edhe të gjithë punën e nevojshme jo vetëm për t’i tërhequr të gjitha medaljet që u dhanë me dekretin e Saliut, me vendimet e Saliut, por edhe për të mos lejuar më që të tjerë pas nesh të bien pre e të njëjtit qorrsokak”, tha kryeministri Rama.
Rama tha se ai kërkoi ndjesë “për një faj që nuk e kishte bërë”, duke e quajtur paraardhësin e tij si kryeakuzator dhe kryefalsifikator në këto 25 vjet.
Në përgjigje ndaj tij ish kryeministri Berisha tha se ligji i 1994 parashikonte përjashtimin e kategorive për të cilat bëhet debati, por falë një amendimi të Edi Ramës emrat famëkeq janë përfshirë në listë.
“Kur të shof ty që më citon mua ku të ndridhet zëri, do të thotë që në njëra anë më bëhet zemra mal se je një derivat hiç. Vetëm ty të ka mbetur mendja se unë jam gjithçka se unë jam kryeministër. Pas citimit të fjalimeve të Enver Hoxhës, dhe pamfletit famëkeq që shkruajte kur vdiq ai… e shkrojte e di vetë ti. Unë ndërtoj mbi projekte dhe jo fjalime. Këtij i duhet të fshihet tani, se ky nuk ka pendesën, ky ka kompleksin e turpit. Po të ketë pendesën, ngrihet këtu kërkova të falur, anuloj menjëherë dekoratat, rikthej në fuqi lustracionin. Amendoj ligjin. Këto janë qëndrimet e njeriut të qytetëruar po ti udhëhiqesh nga probleme të tjera, nga probleme të tjera. Ti nuk ke asgjë të përbashkët me një njeri të qytetëruar”, u shpreh Berisha.
Tensione në Kuvend, opozita kërkon rezolutë për tërheqjen e dekoratave
Parlamenti ka nisur me tensione pas kërkesës së PD-së për mbledhjen e grupit të saj. Edi Paloka bëri të ditur qëndrimin e marrë në këtë mbledhje që brenda seancës së sotme, të mblidhet një komision dhe të hartohet një rezolutë për tërheqjen e dekoratave.
“Të kërkojë heqjen e menjëhershme të këtyre dekoratave që ka dhënë kjo qeveri për kriminelët e komunizmit, heqjen e menjëhershme të atyre që dihet se kanë lyer duart e tyre në gjakun e qytetarëve të pafajshëm për këto, meqënëse dhe kryeministri juaj na doli dhe bëri të paditurin për këtë çështje, le ta tregojë vullnetin sot dhe të bashkohet me opozitën, dhe meqë Parlamenti nuk ka seanca të tjera që mund ta kryejmë këtë akt madhor u kërkojmë që sot të ngrihet një grup të përgatisi rezolutën që të miratohet sot”, tha Paloka.
Por ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli deklaroi se qeveria ka nisur punën për tërheqjen e këtyre dekoratave, dhe ndryshimin e ligjit të vitit 1994 për kategorizimin e veteranëve, për të hequr këtë kategori personash.
“Zotërinj të opozitës të them të drejtën jeni kujtuar vonë, kanë kaluar 25 vjet për të bërë këtë propozim që vjen si shkak i një ligji, VKM-je, komisionit të ngritur të bazuar në këtë ligj e VKM, lidhur me këtë listë famëkeqe të veteranëve të kategorisë A. E kemi nisur punën për të dalë nga ky qorrsokak ku na keni futur. E kemi filluar punën jo vetëm për tërheqjen e medaljeve të dhëna, për shkak të vendimeve të mara 20-vjet më parë. Por do ta vazhdojmë këtë gjë, se nuk mund të mbetemi dhe të kemi mbi kurriz një faj të një natyre që ne nuk na takon se nuk jemi ne gjeneruesit”, tha ministrja Kodheli.
Por fjala e ministres është shoqëruar me tensionin e opozitës, të cilët kanë ndërhyrë herë pas herë.
Kodheli: Pa pasur frikë dhe nëpërmjet ndjesës, ndjesë që ju duhet të kishit kërkuar vite më parë
Topalli: Ndjesë kërko duke tërhequr dekoratat.
Berisha: Kjo është bërë kaq bajate, është turp zonjë!
Topalli: Hiqni dekoratat moj zonjë. Ligji nuk ka emra.
Kodheli: Mundohuni…. i keni dhënë status të veçantë.
Topalli: Po zonjë, ligji nuk flet për emra.
Kodheli: Zonja Topalli kur të mbarojë unë.
Berisha: Mos të fshihet pas asaj (Kodhelit), të vijë këtu (Rama).
Kodheli: E kemi nisur punën dhe kemi çuar në kryeminsitri propozimin për ndryshimin e VKM-së dhe të ligjit të vitit 1994 me qëllim pastrimin e listave nga kjo kategori. Kategori që ka gëzuar të gjitha (opozita ngrihet në këmbë)…
Më pas ish kryeministri Berisha foli sërish në foltoren e Kuvendit ku kërkoi që i pranishëm në sallë të ishte dhe vetë kryeministri Rama. Ai doli në mbrojtje të ligjit të ’94, për të cilin tha se ndaloi dhënin e e statusit të veteranit kriminelëve. Berisha kërkoi edhe hapin e radhës, miratimin e ligjit të lustracionit.
PD mbledh grupin, Berisha: Rezolutë për tërheqjen e dekoratave
Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka kërkuar pesë minuta pushim për një mbledhje urgjente. Kreu i grupit Edi Paloka parashtroi kërkesën pasi ish kryeministri Berisha dhe Jozefina Topalli për një rezolutë kundër dekoratave.
“Është në nderin e Parlamentit të miratojë një rezolutë ku t’i imponojë ekzekutivit tërheqjen e menjëhershme të dekoratave për gjakësorët, për xhelatët e kalvarit komunist, ndaj dhe mendoj të krijohet një grup të hartojë rezolutën shpejt, koncize ku të imponohet me vullnetin e Parlamentit, heqja e menjëhershme e dekoratave”, tha ish kryeministri Berisha.
“T’i kërkojmë kryeminsitrit si Parlament të heqë dekoratat e dhëna një vit më parë persekutorëve apo kriminelëve që i kanë bërë dëmin më të madh Shqipërisë. Ndaj zoti kryetar i Kuvendit unë mendoj se nuk mund të vimë në seancë sikur nuk ka ndodh asgjë. Unë kërkoj që edhe ju, por të gjithë Kuvendi të kërkoi tërheqjen mbrapsht të dekoratave”, tha Jozefina Topalli.
Berisha: Revolucioni nuk do të ndalet nëse nuk plotësoni kërkesat e revoltës
Ish kryeministri Sali Berisha ka deklaruar në Parlament se revolucioni nuk dot ë ndalet nëse nuk merrem parasysh kërkesat e revoltës së qytetarëve. Ai kërkoi një përshtatje të rendit të ditës me këto kërkesa.
“Është gabim me pasoja të rënda nëse ne nuk pasqyrojmë sot në punën e Kuvendit atë revoltë të thellë që vërshoi dhe çau rrugët e sheshet e Tiranës, pikërisht kundër këtij buxheti, kundër atij zotërie që e ka shndërruar këtë qeveri në organizatë kriminale, në lidhjet e saj me trafiqet, drogën, tenderat, mos mendoni se ishin flakë për çelikun apo betonin, ishin flakë për urrejtjen që ka mbjellë zotëria i tij, ishin flakë për mjerimin, që ka mbjellë në dy vjet qeverisje, ishin flakë për shpresat e djegura dhe të vraraë nga ky zotëri që po pasurohet në mënyrën më marramendëse në dy vjet”, tha Berisha.
Teksa në dyert e Kuvendit po zhvillohet protesta e opozitës, seanca ka nisur qetësisht me rendin e ditës
Top Channel