
Një ditë përpara protestës së dytë, të paralajmëruar nga opozita përballë hyrjes së Kuvendit, reagoi Partia Socialiste. Deputetja Olta Xhaçka, nga selia rozë thotë se opozita nuk kanë asnjë kauzë, asnjë kundërshti politike apo programore. Sipas saj, zyrtarët e Partisë Demokratike kërkojnë që, përmes forcës dhe ultimatumeve, të zëvendësojnë një qeveri legjitime, një mazhorancë të mbështetur fuqimisht nga vullneti i shqiptarëve.
“Teksa Bashkimi Europian vazhdon të vlerësojë reformat e ndërmarra nga qeveria dhe përparimin e qëndrueshëm të Shqipërisë, Partia Demokratike, e gjendur pa asnjë kauzë reale përveç nevojës për të ardhur me pahir në pushtet, vazhdon e bën thirrje për revolucion. Kauza e Partisë Demokratike është e thjeshtë: nga njëra anë duan të marrin me çdo kusht pushtetin, nga ana tjetër u frikësohen reformave të kësaj mazhorance, që synojnë rimëkëmbjen e shtetit, e sidomos i frikësohen reformës në drejtësi, të cilën mesa duket duan me çdo kusht ta bllokojnë. Rruga që Partia Demokratike ka zgjedhur për të tentuar destabilizimin e vendit, për të organizuar turbullira dhe protesta të dhunshme në prag të festave të fundvitit, është përmes parasë së pisët dhe blerjes së njerëzve më në nevojë. Partia Demokratike po bën çmos, që reforma në drejtësi, integrimi europian dhe forcimi i shtetit ligjor të dështojnë, edhe këtë nuk është zor për ta kuptuar”, tha Olta Xhaçka, deputete e PS-së.
Top Channel