Lajçak: Shqipëria po lëviz shpejt. Negociatat, gjatë presidencës sllovake

16/12/2015 20:05

Ministri i Jashtëm i Sllovakisë, Miroslav Lajçak ka vlerësuar ritmin e Shqipërisë në procesin e integrimit, duke deklaruar se vendi është në drejtimin e duhur.

Në një intervistë për Top Channel, Lajçak ka shprehur dëshirën që kapitujt e parë të anëtarësimit të hapen gjatë vitit të ardhshëm, kur vendi i tij do të kryesojë presidencën e BE-së.

Top Channel: Çfarë shansesh ka Shqipëria për hapjen e negociatave të anëtarësimit me BE-në gjatë 2016, duke marrë parasysh jo vetëm  konkluzionet e Këshillit, por dhe programin e  përbashkët të 3 presidencave të radhës të  BE-së?

Miroslav Lajçak: “Mendoj se Shqipëria mbetet e kënaqur me tekstin e konkluzioneve të Këshillit të BE-së mbi zgjerimin. Gjuha është mjaft pozitive dhe reflekton progresin e arritur nga Shqipëria. Për këtë arsye, mendoj se vendi po lëviz në drejtim të duhur dhe se mjaft shpejt, ne do të jemi në gjëndje të çelim kapitujt e parë të negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë. Ju e dini se Sllovakia mban presidencën e radhës së Unionit gjatë gjysmës së dytë të 2016-s. Pra, ne do të jemi vendi që do të paraqesë vitin e ardhshëm konkluzionet e Këshillit dhe për ne zgjerimi është i rëndësishëm. Për ne, Shqipëria është me përparësi, një nga vendet partnere në rajonin e Ballkanit. Prandaj, unë dëshiroj për Shqipërinë dhe për Sllovakinë që në këtë periudhë, pas një viti, ne të kemi hapur kapitujt e parë të negociatave me Shqipërinë”.

Top Channel: A mendoni se do të ndikojnë protestat e opozitës në arritjen e këtij qëllimi? Siç e dini, PD kërkon qeveri teknike dhe zgjedhje të parakohshme në vend.

Miroslav Lajçak: “Unë nuk mendoj kështu. E drejta për të shprehur mendimin është një nga të drejtat themelore. Ajo që ka me të vërtetë rëndësi  është që të gjitha veprimtaritë dhe protestat, në mënyrë strikte, të respektojnë kuadrin ligjor dhe rolin e institucioneve politike. Kjo është me shumë rëndësi, sepse nuk i takon vetëm qeverisë, por edhe opozitës, që të mos veprojë kundër interesave jetike të shtetit dhe të respektojë kuadrin kushtetues. Kjo ka rëndësi, sepse përgjegjësia nuk bie vetëm mbi qeverinë, por dhe mbi opozitën”.

Top Channel: A besoni se liberalizimi i vizave për kosovarët do të bëhet gjatë presidencës suaj, apo me parardhësit tuaj, gjatë presidencës holandeze?

Miroslav Lajçak: “Mendoj se është shumë herët që të flasim tani për këtë. Ne e mbështesim procesin, i cili bazohet me të vërtetë mbi kushte e kritere të përcaktuara që duhen përmbushur. Kështu që ne do të jemi pozitivë me objektivitet përsa i takon kësaj çështjeje dhe shpresoj se nuk do të ketë bllokim të procesit. Por, qartazi, detyrat e shtëpisë duhet të jenë përmbushur nga institucionet e Kosovës.

Intervistoi: Arta Tozaj

Top Channel