Kritikat e Berishës ndaj ambasadorit gjerman, reagon Arta Dade

16/12/2015 19:45

Kryetarja e Komisionit të Jashtëm, Arta Dade ka reaguar gjatë orëve të mbrëmjes së të mërkurës në lidhje me kritikat e fundit të Berishës për ambasadorin gjerman në Tiranë, Helmut Hoffman.

Dade tha se “sulmet e Berishës ndaj Hoffman janë një tregues i gjendjes së rënd ku ndodhet ky politikan famëkeq”. Zonja Dade vazhdoi edhe më tej duke thënë se Berisha rikthehet në praktikat e viteve 1996-97 kur sulmoi ambasadoren e SHBA.

“Ambasadorët janë vënë nën sulmet e këtij pasardhësi të praktikave autoritariste. Ambasadorët e nderuar na kanë mbështetur gjithmonë në rrugëtimin e konsolidimit të demokracisë dhe integrimit të vendit tonë”, thuhet në deklaratën e kryetares së Komisionit të Jashtëm.

Më herët, ish-kryeministri Sali Berisha u tregua kritik me ambasadorin gjerman, për shkak se pak ditë më parë ai u shpreh se ishte tronditur nga dhuna me 8 Dhjetor përpara Ministrisë së Brendshme.

“Me ambasadorët kam mirëkuptim të plotë në thirrjet e tyre për të shmangur dhunën, por nuk pranoj qëndrimin e tyre ndaj bunkerit. Herr Hoffman duhej të ishte mërzitur më shumë për zgjedhjet, jo për bunkerin”, deklaroi Berisha.

Top Channel