Dekorimi i hetuesit të At Zef Pllumit, vijojnë replikat Berisha-Rama

16/12/2015 12:15

Replikat akuzuese mes Sali Berishës dhe Edi Ramës janë përqëndruar se kush mban përgjegjësi për dekorimin një vit më parë të disa persekutorëve të diktaturës, përfshirë edhe hetuesin e At Zef Pllumit dhe Sami Repishtit.

Duke iu përgjigjur akuzave nga Shkodra të kryeministrit, ish-kryeministri shpjegoi ligjin, të cilit iu referua Edi Rama.

“Statusi i veteranit nuk ka të bëjë me asnjë emër konkret. Ligji njeh pjesëmarrjen në luftë të të gjithë atij grupi të gjerë, që u fry dhe u stërfry në mënyrën më monstruoze. Gjithçka fajësoi dhe projektoi te Sali Berisha. Sali Berisha, në të njëjtin vit, do të ishte edhe vendi i parë në Europën ish-komuniste, që bëri ligjin e dënimit të gjenocidit komunist dhe krimeve kundër njerëzimit të diktaturës komuniste në Shqipëri”, tha Berisha.

Paralelisht me konferencën e Sali Berishës, Edi Rama publikoi një dokument zyrtar, që tregon se hetuesi Shyqyri Çoku ishte përfshirë në kategorinë e parë të veteranëve, me nisjen e zbatimit të ligjit të ’95-s dhe se Ministria e Mbrojtjes nuk mund të hetojë se cilët janë ata, që përfitojnë të drejtën e tyre nga ligji.

Kryeministri Edi Rama përsëriti qëndrimin se, qeveria e tij do ta rishikojë ligjin për statusin e veteranit, në mënyrë që – siç shprehet, – askush të mos bjerë viktimë e qorrsokakut të ndërtuar me kujdesin e veçantë të Sali Berishës, si President i Republikës.

Megjithatë, pak minuta më herët, ish-presidenti kishte cilësuar si hipokrizi çdo fjalë dhe ndjesë të Edi Ramës për persekutorët.

“Fund e krye hipokrizi e frikacakut. Është i tmerruar dhe nuk i ka ngelur gjë. Edi Rama nuk shpalli anulimin e dekoratës, ju s’dëgjuat gjë. Tha se ishte një ndjesë e imponuar nga Sali Berisha, sepse ia kisha firmosur unë certifikatat me të cilat shoqërohen dekoratat, por nuk përmendi anulimin e tyre. Anulimi është akti më i thjeshtë, veçanërisht në qoftë se me një akt ministror, me ligj dhe Kushtetutë, kryeministri anulon vendimin e ministrit”, tha më tej Berisha.

Por nuk ishte vetëm kjo arsyeja. Sipas Sali Berishës, në krye të Partisë Socialiste, Edi Rama çoi në Gjykatën Kushtetuese ligjin e lustracionit, që ndalonte shërbimin në shtet të çdokujt, që kishte pasur një funksion të lartë gjatë regjimit komunist: gjyqtarët, prokurorët dhe anëtarët e sigurimit të shtetit.

Ish-kryeministri i përmendi Edi Ramës edhe vënien e emrit të një rruge në Tiranë, të një prej xhelatëve të diktaturës, Ndreko Rinos, gjatë kohës që ai ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës. Dhe për të përmbledhur atë që e quan hipokrizi të Edi Ramës, ish-kryeministri i përmendi firmën e babait të tij në varjen e poetit Havzi Nela.

“Nderimin e xhelatëve e bën në radhë të parë si nderim për të atin. Është i biri i një xhelati të vërtetë dhe Havzi Nela thotë se era e OSBE-së do të fryjë edhe te ne. U var 18 vite pas varjes së fundit në Shqipëri, në prag të rënies së Murit të Berlinit. Apo edhe për këtë e ka fajin Saliu? Nuk bind dot njeri”, përfundoi bashkëbisedimin me gazetarët, ish-kryeministri Berisha.

Top Channel