Ambasadori italian: Bashkëpunim për reformat. Jo dhunë gjatë protestave

16/12/2015 00:00

Ambasadori i ri italian në Shqipëri, Alberto Cutillo, gjatë një vizite prezantimi deklaroi nga Shkodra se, rruga për në Europë kërkon reforma dhe reformat më të rëndësishme duhen realizuar në bashkëpunim mes forcave politike. Por më e rëndësishmja – tha ai, – është reforma në drejtësi.

“Disa nga këto reforma janë më të rëndësishme se të tjerat, siç është reforma në drejtësi, për të cilën Bashkimi Europian kërkon që Shqipëria me shumë vullnet ta çojë deri në fund. Këto reforma kërkojnë bashkëpunimin e të gjitha forcave politike, e kam fjalën tek ato reforma, që prekin edhe Kushtetutën”, tha Alberto Cutillo, ambasador i Italisë.

Ambasadori italian komentoi edhe protestat, duke kërkuar qëndrimin larg dhunës.

Protestat janë pjesë e jetës demokratike, por duhet të qëndrojnë brenda kufizimeve të ligjit dhe nuk duhet të kthehen në akte dhune. Kjo është një përgjegjësi, që forcat që i shtyjnë këto protesta duhet t’i kenë parasysh. Deri në momentin që këto protesta nuk janë të dhunshme, nuk e dëmtojnë aspak imazhin e Shqipërisë në Europë”, tha më tej ambasadori italian.

Top Channel