Në qytetin simbol të rezistencës antikomuniste, kreu i qeverisë Edi Rama ka bërë një rrëfim të shkurtër dhe një sqarim të gjatë të aktit të shumëkritikuar të dekorimit të torturuesve të At Zef Pllumit dhe Sami Rrepishtit nga Ministria e Mbrojtjes.
“Kam sot detyrimin të kërkoj të falur për tronditjen e kuptueshme që i ka shkaktuar lajmi familjarëve”, tha Rama.
Pas kësaj ndjese, kreu i qeverisë mbajti gjatë theksin e fjalës së tij tek sqarimi se dekorimi i tyre është bërë mbi ligjin e statusit të veteranëve, dekretuar në vitin 1994 nga Sali Berisha president. Mbi këtë vendim, ata kanë marrë edhe pension si veteranë për 20 vite, shtoi shefi i qeverisë. “Me vendimin numër 34 të datës 06.05.1996, Sali Berisha i ka dhënë statusin e veçantë të veteranit të luftës atij që sot e hedh në oborrin tonë”.
Edi Rama tha se është marrë vendim që ligji për statusin e veteranëve të shihet me urgjencë.
Nga “Të pastrojmë më tej Shqipërinë” në Shkodër, Edi Rama ka “pastruar” edhe një tjetër akuzë të ditëve të fundit të kundërshtarëve politikë, atë për diskriminimin e veriorëve: “Nuk fola kundër veriorëve. Nuk ka për më tepër asnjë problematikë për njerëzit që kanë ardhur nga veriu dhe kanë ndërtuar në plazh, por për ata që na dolën pronarë tokash”.
Shefi i qeverisë gjithashtu u ndal tek alarmi absurd i opozitës për bunkerin te Ministria e Brendshme, si glorifikim i ish-diktaturës komuniste nga e majta në pushtet, duke ironizuar edhe protestën e demokratëve: “Ai nuk është bunker, por hyrja simbolike e një muzeu të nëntokës ku janë të gjithë tunelet e dikurshme që ne duam t’ia hapim publikut. Nëse Frojdi do ishte gjallë, do të thonte se nuk kanë faj, djegin bunkerin që kanë brenda”.
Top Channel