PS, Balla: Letra e Ristanit, fabrikim i SHQUP-it

15/12/2015 13:20

Nënkryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla ka deklaruar se, letra e paraqitur më herët nga PD ku sipas saj denoncoheshin punësimet nepotike në strukturat shtetërore është vetëm një “fabrikim i SHQUP-it”.

Balla ka thënë se letra e publikuar nga deputeti Arben Ristani është një sajesë e opozitës, e cila sipas tij ka zgjedhur rrugën e mashtrimit.

“A është normale të gënjesh e të mashtrosh shqiptarët kaq hapur vetëm për përfitimet politike të një grupi të vogël njerëzish? Mendoni sikur të ishim të gjithë si Luli, Saliu, Paloka e Ristani dhe çdo ditë të dilnim në konferenca shtypi e të shpifnim pa asnjë fakt, ose me fakte të fabrikuara si letra e sotme dhe të hidhnim vetëm baltë e të kriminalizonim njëri-tjetrin”, ka deklaruar Balla në një komunikim me mediat.

Fatkeqësisht, sipas tij, “Saliu dhe Luli kanë 25 vjet që e bëjnë këtë, me shpresën se duke shpifur diçka do të mbetet”.

“Falsifikojnë e fabrikojnë fakte me shpresën se balta do ta nxisë kundërshtarin, por nuk jemi të gjithë njësoj. Letra e Arben Ristanit është shpifja e radhës e prodhuar nga fabrika e shpifjeve të SHQUP-it”, ka theksuar Balla.

Ajo letër, ka vijuar ai, nuk ekziston por është shtypur në zyrat e PD, “sepse në SHQUP është krijuar një departament për fabrikimin e dokumentave dhe email-eve”.

“Kaq poshtë ka rënë opozita e sotme. Dhe kjo është e turpshme. Është i turpshëm niveli ku ka përfunduar PD. Të gënjejë, të shpifë dhe të falsifikojë korrespondenca mes zyrtarëve të shtetit nuk është vetëm papërgjegjshmëri. Kjo është kriminale”, ka shtuar Balla.

Për të përforcuar qëndrimin e tij, deputeti socialist ka lexuar një letër të cilën ai ia atribuoi Ristanit, që nga ana e tij i drejtohej ish-kryeministrit Berisha.

“I dashur doktor, protestat tona nuk arriijnë të mbledhin njerëz, pasi Luli nuk frymëzon më askënd, ndaj në emër të gjithë të vjetërve në PD ju lutem të rimerrni situatën nën kontroll. Është e rëndësishme që në protestën e radhës të mbani edhe ju një fjalë në mënyrë që njerëzit të marrin pak kurajë dhe guxim. Arben ristani, 15 dhjetor 2015”, ka cituar Balla fjalët e deputetit demokrat.

“Por pavarësisht se kjo letër nuk është e vërtetë, në SHQUP mendojnë të gjithë kështu. Arsyeja pse e nxorrëm këtë letër të sajuar është për të treguar sa e thjeshtë është të shkruash një trillim në kompjuter dhe ta shesësh si të vërtetë”, ka sqaruar Balla.

Top Channel