PD akuzon Ramën: Nuk kërkoi falje, mbrojti bunkerin dhe xhelatët

15/12/2015 00:00

Partia Demokratike akuzoi kryeministrin Edi Rama, i cili – sipas saj, – mori në mbrojtje bunkerin, ndërsa nuk tërhoqi dekorimin për persekutorët, por zgjodhi sot t’i qëndrojë deri në fund këtij akti kriminal e provokues. Edi Paloka tha se, të enjten para Parlamentit qytetarët do të tregojnë se, ata janë zotër të vendit dhe Rama është dhe ishte thjesht një aksident i shëmtuar i historisë sonë.

“Edi Rama konfirmoi sot degradimin e tij të plotë politik e moral, duke u shfaqur i habitur dhe duke fajësuar popullin, që është në revoltë edhe për dekoratat e tij për xhelatët e diktaturës. Nga Shkodra, Edi Rama zgjodhi të merrte në mbrojtje bunkerin, simbolin e izolimit dhe të paranojës shkatërruese të komunizmit. Ai kishte mundësi të hiqte dorë nga dekorimi, t’i anulonte medaljet e tij për persekutorët, por zgjodhi sot t’i qëndrojë deri në fund këtij akti kriminal e provokues. Në vend që të kërkonte falje, ai zgjodhi Shkodrën për të fyer qytetarët, duke i quajtur të marrë përse nuk e duan bunkerin, përse janë kundër simbolit të regjimit më të egër komunist të lindjes. Ky çudan, i përçudnuar hajdut e arrogant bën të paditurin, edhe kur qytetarët revoltohen për deklaratat e tij raciste, përçarëse e nxitëse të urrjetjes mes shqiptarëve”, tha Paloka.

Më tej, në emër të Partisë Demokratike, ai tha se populli është në këmbë për të gjitha perversitetet e Ramës të përziera me korrupsion e krim, prandaj të mos habitet aspak. Populli -sipas Palokës – nuk është thjesht në këmbë. Populli është ngritur për ta larguar atë, për ta shporrur bashkë me bandën e tij të hajdutëve.

“Edi Rama do të japë llogari deri më një për fyerjet, provokimet, për aktet që rikthejnë të kaluarën e dhimbshme, me të cilën shqiptarët janë ndarë me gjak e sakrificë. Ai do të japë llogari për çdo të keqe, që po i shkakton sot popullit, për çdo qindarkë që po i vjedh. Të enjten para Parlamentit, qytetarët do të tregojnë se ata janë zotër të vendit dhe se, ai është dhe ishte thjesht një aksident i shëmtuar i historisë sonë”, përfundoi nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka.

Top Channel