Lu: Të korruptuarit, para drejtësisë. Dhuna politike, jo në një vend të NATO-s

15/12/2015 15:50

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Lu ka marrë më shumë se 450 pyetje nga qytetarët shqiptarë për korrupsionin, reformën në drejtësi dhe politikën shqiptare, gjatë një bashkëbisedimi në Facebook.

“Ju mund të mos e besoni, por unë kam shumë shpresë se gjërat po ndryshojnë, në lidhje me korrupsionin në Shqipëri”, tha Donald Lu në nisje të bashkëbisedimit. Njerëzit në Shqipëri – theksoi ai, – janë të lodhur dhe duan të shohin ndryshime: nga dekriminalizimi i Parlamentit deri te reforma gjyqësore, dhe te transparenca financiare e partive politike për të parandaluar blerjen e votave.

Lu u pyet për deklarimet e drejtpërdrejta, që ai pati në Konferencën Kombëtarë të gjyqtarëve.

“U mundova ta ndaj fjalimin tim në dy mesazhe: një për pjesën më të vogël të gjykatësve, të cilët janë jashtëzakonisht të korruptuar, dhe mesazhi tjetër për pjesën më të madhe të tyre, të cilët e kryejnë punën e tyre me ndershmëri dhe nuk kërkojnë ryshfet. Gjendja me gjykatësit dhe prokurorët shqiptarë është e patolerueshme. Unë shpresoj se ju do të punoni për të mbështetur reformat, që piketojnë dhe largojnë gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar. Kjo gjë është kritike për të ardhmen e këtij vendi”, u përgjigj ambasadori Lu.

“A ka politikanë, që nuk e duan reformën në drejtësi?”, ishte një tjetër pyetje.

“Në demokraci, nëse ju jeni të pakënaqur me udhëheqësit tuaj, keni dy mundësi: ose të bashkëpunoni me njerëzit që janë në pushtet, ose të prisni deri në zgjedhjet e ardhshme dhe të votoni ndryshimin. Edhe unë kam dyshimet e mia për disa nga anëtarët e Parlamentit dhe vullnetin e tyre për të mbështetur reformën, por unë besoj se, me presion publik, ndryshimi është i mundur”, tha ambasadori amerikan.

Donald Lu u pyet gjithashtu se “nëse nuk miratohet reforma e drejtësisë, a do të izolohemi?”.

“Është e vërtetë. Ne dhe Bashkimi Europian kemi investuar në sektorin e drejtësisë më shumë sesa në çdo çështje tjetër në Shqipëri. Jam i sigurtë, që shuma shkon në qindra e mijëra dollarë. Ne jemi të irrituar nga ritmi i ngadaltë i këtyre reformave, por ne nuk kemi hequr dorë. As nuk kemi në plan ta izolojmë Shqipërinë. Ne duam të punojmë së bashku për ta kryer këtë punë. Ne nuk do të ndalemi”, tha Lu.

Pyetja e radhës për diplomatin amerikan në Tiranë lidhej me protestën e 8 dhjetorit të opozitës, për të cilën Lu dha këtë përgjigje:

“Gjatë protestës në 8 dhjetor u hodhën gurë dhe vezë në godinën e Kryeministrisë, te policët dhe në godinat e 3 ministrive. Ndërsa bunkerit iu vu zjarri. Përdorimi i këtyre taktikave të dhunshme e zbehu kuptimin e vërtetë dhe domethënien e asaj, që mund të ishte një demostratë e madhe dhe paqësore. Përdorimi i dhunës politike nuk përputhet me vlerat demokratike të Shqipërisë, as me angazhimet e saj në NATO”.

Duke iu përgjigjur një tjetër pyetjeje, Donald Lu tha se “ndryshimi i Shqipërisë do të fillojë me ligje të reja për dekriminalizimin, Zyrën Kombëtare të Hetimeve dhe reformën e gjyqësorit. Por vetëm ligjet nuk do ta ndryshojnë Shqipërinë. Implementimi është punë e vështirë”.

“Gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar duhet të pushohen nga puna dhe të ndiqen penalisht. Politikanët e inkriminuar duhet të hiqen nga postet e krerëve të partive politike, nga Parlamenti dhe nga pozicionet lokale. Ministra të korruptuar, të mëparshëm dhe të tanishëm, duhet të mbahen përgjegjës për krimet e tyre. Populli shqiptar duhet të kërkojë, që kjo të ndodhë”, tha Donald Lu.

Ndërsa për korrupsionin në radhët e politikës, Dodald Lu tha:

“Në Shqipëri, ne kemi punuar me të dyja palët, qeverinë dhe opozitën, për të hequr anëtarët e Parlamentit dhe kandidatët për kryetarë të komunave apo bashkive, me rekorde në arrestime dhe dënime penale. Miratimi i ligjit të dekriminalizimit do të rezultojë në largimin e shumë prej këtyre politikanëve me precedentë penalë”.

Por kur do të kemi drejtësi reale dhe të pavarur në Shqipëri?

“Gjykatësit dhe prokurorët duhet të japing llogari, për krimet që mund të kryejnë apo për çdo lloj abuzimi me pushtetin e tyre. Zgjidhja, që është përfshirë në reformën aktuale në drejtësi, është ngritja e këshillave gjyqësorë dhe të Prokurorisë, të përbërë nga anëtarë të shoqërisë civile dhe me shumicën gjykatës e prokurorë, të cilët do të propozojnë, promovojnë apo largojnë gjykatës dhe prokurorë. Ky është një ekuilibër shumë delikat”, u përgjigj ambasadori i Shteteve të Bashkuara.

Ndërsa për partitë politike, Lu tha:

“Partive politike u duhet një reformë për t’i bërë ato më demokratike. Udhëheqësit e partive, sot mund të marrin të gjitha vendimet pa konsultim apo zgjedhje. Unë shpresoj që reforma zgjedhore të mund t’i adresojë këto çështje”.

Top Channel