Bushati përshëndet konkluzionet e Këshillit të Ministrave të BE-së

15/12/2015 20:45

Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, nëpërmjet një deklarate për shtyp, në vijim të miratimit të Konkluzioneve të Këshillit të Ministrave të BE-së për zgjerimin, u shpreh se i mirëpret këto konkluzione.

“Për vendin tonë, konkluzionet konfirmojnë arritjet e evidentuara në raportin e Komisionit Evropian, vullnetin dhe vendosmërinë e qeverisë për intesifikimin e reformave të ndërmarra në fushën e sundimit të së drejtës në ekonomi. Këshilli ka vlerësuar progresin e qëndrueshëm të Shqipërisë në përmbushjen e prioriteteve për hapjen e negociatave për anëtarësim, veçanërisht në reformën e administratës publike dhe masat e ndërmarra në përgatitje të reformës së sistemit të drejtësisë”, lexohet në deklaratën e Bushatit.

Ministri i Jashtëm shtoi se “roli aktiv i Shqipërisë në rajon si dhe linjëzimi i plotë me Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, evidentohen si asete të vyera të politikës sonë së jashtme. Ashtu siç evidentohet qartësisht në konkluzionet e Ministrave të BE-së, reforma në drejtësi është e një rëndësie parësore për hapjen e negociatave. E ndërlidhur kjo me konsoldimin e arritjeve në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe zbatimit efektiv të të drejtave dhe lirive themelore”.
 
“Rekomandimet e Komisionit Europian, të mbështetura edhe nga konkluzionet e Këshillit të Ministrave të BE-së, do të përbëjnë orientimin e veprimit tonë politik drejt plotësimit të prioriteteve kyçe, të cilat do mundësojnë përparimin e mëtejshëm drejt hapjes së negociatave për anëtarësim”, shton Bushati.

Top Channel