Kryetari i PD, Lulzim Basha ka deklaruar këtë të martë, në prag të protestës së radhës së opozitës, se qeveria e majtë nuk ka shënuar asnjë arritje në vitet e fundit.
“5 vjet më parë, falë reformave, seriozitetit e angazhimit të Partisë Demokratike ra izolimi i fundit i Shqipërisë dhe shqiptarët fituan të drejtën e lëvizjes në Europë pa viza. Sot asnjë hap i ri nuk është bërë në drejtim të integrimit”, ka deklaruar Basha.
Në të kundërt, sipas tij, për shkak të keqqeverisjes, korrupsionit, inkriminimit dhe padrejtësive të Edi Ramës, shqiptarët po braktisin vendin çdo muaj, duke u renditur të dytët pas sirianëve që kërkojnë azil në BE, duke nxitur diskutime në radhët e Unionit për rikthimin e regjimit të vizave.
“Për dy vite, jo vetëm që nuk bënë asnjë hap para, por e kthyen vendin 25 vite pas, në kohën e eksodit të madh. Ndaj është koha për t’i ndalur, për t’i hequr nga rruga jonë europiane. Të enjten populli në këmbë para dyerve të Parlamentit”, ka apeluar Basha.
Top Channel