Basha denoncon qeverinë në Kongresin e CDU-së: Rrezik që i kanoset demokracisë

15/12/2015 00:00

Një ditë përpara protestës së radhës të opozitës, lajmëruar për t’u mbajtur përpara Parlamentit, kreu i PD-së Lulzim Basha ka udhëtuar drejt Gjermanisë, ku ka marrë pjesë në Kongresin e partisë së Kancelares Angela Merkel, CDU, me shpresën për të marrë mbështetje nga krerët e PPE-së dhe CDU-së në këtë “valë protestash”, siç e ka cilësuar ai, të drejtuara nga Partia Demokratike.

Gjatë punimeve të Kongresit, Basha u takua me drejtues të lartë të CDU-së dhe Partive Popullore Europiane, me eurodeputetë, deputetë të Bundestagut, si dhe ministra. Sipas njoftimit të selisë blu, Basha ka ngritur me të gjithë bashkëbiseduesit shqetësimet dhe problemet që prekin sot shqiptarët, duke nisur nga korrupsioni, krimi me lidhje qeveritare, apo rënia e shtetit ligjor.

“Revolta popullore, që ka shpërthyer në të gjithë vendin, dhe numri i lartë i azilkërkuesve shqiptarë është dëshmia më e qartë e situatës së rëndë ekonomike, papunësisë që shtohet dhe dhunës qeveritare ndaj të pamundurve”, citohet të ketë thënë Basha.

Po ashtu, në njoftimin e Partisë Demokratike thuhet se, Basha pati një bashkëbisedim edhe me Kancelaren Angela Merkel, të cilën e falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë Shqipërisë, sikundër vuri në pah shpresën e tij se, Gjermania do të jetë në mbështetje të ëndrrës europiane të shqiptarëve, ashtu siç mbështeti fuqimisht edhe liberalizimin e vizave.

E duke u ndalur te liberalizimi i vizave, më herët gjatë ditës Basha, me anë të një postimi në Facebook përkujtoi 5-vjetorin e këtij momenti historik dhe, në të njëjtën kohë, u bëri thirrje qytetarëve t’i bashkohen opozitës të enjten, në protestën para Parlamentit, për të ndalur – siç thotë, – hapat prapa në integrimin europian të vendit.

Top Channel