PD: Punësime politike në burgje. Ja deputetët e ministrat që kanë ndërhyrë

14/12/2015 00:00

Partia Demokratike publikoi një listë me 69 të punësuar, me ndërhyrje partiake në Drejtorinë e Burgjeve, duke e interpretuar këtë si një dëshmi, që kundërshton tezën më të rëndësishme të kryeministrit Edi Rama, se po ndërton shtetin e së drejtës që u mungoi për 25 vite shqiptarëve.

Në listën e publikuar nga Partia Demokratike tregohet se, në krah të çdo personi të punësuar në burgje, kryesisht si policë me arsim të mesëm, qëndron emri i një ministri ose i një deputeti socialist.

Ky dokument konfidencial, që qëndron në tavolinën e drejtorit si kujtesë për të, tregon të punësuarit dhe, në krah të tyre, sekserin përkatës.

“Në 6 raste, sekseri është Saimir Tahiri, në 11 raste, Fatmir Xhafaj, në 6 raste, ministrja-kushërirë Milena Harito, në 5 raste, Ditmir Bushati, në 4 raste, Lindita Nikolla, në 6 raste, Rakip Suli, në 4 raste, Sadri Abazi, në 7 raste, Vasilika Hysi, në 6 raste, Besnik Bare, në 7 raste, Pandeli Majko. Ky pra është shteti i Edi Ramës. Ai në fakt është në krye të një shteti të korruptuar, kriminal, një ngrehine me lidhje nepotike, ku në punë të fut vetëm paraja dhe njohja me deputetin e ministrin”, u shpreh deputeti Enkelejd Alibeaj.

Ky ishte një rast, që Partia Demokratike t’u bëjë thirrje qytetarëve të bashkohen me protestat e opozitës për largimin e qeverisë së kryeministrit Rama. Në funksion të protestave, në Partinë Demokratike është ndryshuar edhe sfondi i komunikimit me publikun.

“Skandale si këto, të një qeverie të zhytur në korrupsion e krim, e kanë ngritur popullin në këmbë. Padrejtësi si këto kanë nxitur revoltën e madhe popullore. Ndaj, qytetarët, të majtë e të djathtë pa dallim, janë në këtë protestë për ta shporrur këtë shtet të korruptuar e kriminal. Më 17 dhjetor, të enjten, në dyert e Parlamentit për të ndalur qeverinë më të korruptuar, të popullit më të varfër në Europë”, përfundoi deklaratën Alibeaj.

Top Channel