Qeveria synon të përmirësojë sadopak situatën ekonomike të vendit përmes stimujve fiskalë që kanë të bëjnë me investimet kapitale nga Buxheti i Shtetit.
Synimi i aktit normativ të dorëzuar në Kuvend nga Ministria e Financave është përshpejtimi i investimeve kapitale të buxhetit të shtetit. Veç kësaj, Qeveria ka bindjen se ndryshimet e paraqitura sigurojnë një eficiencë më të lartë të përdorimit të fondeve publike, veçanërisht atyre të investimeve, pasi realizon kalimin e fondeve nga projekte me ecuri të ngadaltë në projekte me ecuri më të lartë, duke ndikuar në shlyerjen në kohë të detyrimeve kontraktuale, por edhe duke ndihmuar në mënyrë modeste ekonominë e vendit.
MF thotë se ndryshimet në këtë akt normativ bazohen në treguesit e monitorimit të investimeve, ku është konstatuar fakti se në disa projekte me financim të brendshëm dhe financim të huaj ka pasur probleme me ecurinë e realizimit.
Ndërhyrja propozohet në ato zëra ku janë gjetur mosrealizime në raport me planin e parashikuar. Njëkohësisht, propozohen edhe rialokime mes projekteve të investimeve me financim të brendshëm dhe me financim të huaj, drejt atyre me ecuri më të lartë.
Sipas Qeverisë, ndryshimet e mësipërme me Akt Normativ nuk ndryshojnë parametrat kryesorë të buxhetit të vitit 2015, pra nuk ndryshojnë totalin e të ardhurave, shpenzimeve dhe deficitit buxhetor, duke qenë në linjë me objektivin e konsolidimit fiskal.
Top Channel