Hiqet shtylla tek “Don Bosko”, Veliaj: 190 milionë lekë investime për rrugën

14/12/2015 18:45

Një çudi shqiptare! Kështu e ka cilësuar kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj shtyllën e tensionit të lartë në rrugën “Don Bosko”, e cila mesditën e së hënës, në bashkëpunim me OSHEE-në është zhvendosur, duke liruar hapësirat në këtë segment rrugor.

Duke u ndalur tek investimet për këtë rrugë, Veliaj theksoi se do të jenë rreth 190 milionë lekë të akorduara për të.

“Një gangrenë për rrugën “Don Bosko” ka qenë kjo shtyllë absurde, e klasifikuar si numri 1 i çudirave shqiptare. Nga sot ajo nuk do të ekzistojë më. Ne do kujdesemi që 190 milionë lekë të investohen për këtë rrugë dhe trotuaret e saj. Gjithashtu, një pjesë e përmbytjeve të Tiranës shkaktohen në këtë rrugë, ndaj ne do të sigurohemi që të ndërhyjmë edhe në kanalizime”, deklaroi Veliaj.

Nga ana e tij, drejtori i OSHEE-së, Adrian Çela bëri të ditur dhe një tjetër projekt që ata kanë me Bashkinë e Tiranës.

“Me bashkinë kemi marrë impenjimin madhor, çlirimin e nënstacionit pas hotel “Tirana”. Të gjithë qytetarët e kanë parasysh se sa gangrenë është kthyer ai nënstacion dhe ne kemi marrë impenjimin që brenda pranëverës të nisim punimet për spostimin e tij”, deklaroi Çela.

E në fund, kryebashkiaku Veliaj, duke përmendur protestën e së enjtes, iu drejtoi një meszh të gjithë atyre që do të marrin pjesë.

“I lus organizatorët që të mos jetë sërish një protestë vandale. Ne nuk do hezitojmë të penalizojmë sërish këdo që shkul një pllakë, që vjedh një pusetë, që pret një pemë apo që dëmton dekoracionet e qytetit. Kushdo që vjen në Tiranë për të protestuar është mëse i mirëpritur, por ne vandalët nuk i tolerojmë”, porositi Veliaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA