Qeveria Tsipras ka nënshkruar këtë të hënë privatizimin e parë dhe më të madh të saj, dhënien me konçesion për 40 vjet për operim, menaxhim, zhvillim dhe mirëmbajtje të 14 aeroporteve rajonale të vendit.

Marrëveshja është nënshkruar midis midis Fondit të Aseteve Shtetërore dhe Zhvillimit nga njëra anë dhe konsorciumit “Fraport AG” dhe grupit “Copelouzos” nga ana tjetër, që është zgjedhur si një investitor i preferuar gjatë një tenderi që në nëntor të 2014.

Aeroportet do t’u kalojnë sipas kontratës zyrtare në pranverë të vitit të ardhshëm dy kompanive, që do të japin edhe si paradhënie gjithë shumën e rënë dakord prej 1.23 mld euro.

Tre prej 14 aeroporteve, ai i Selanikut, i Kavalës dhe i Aktiut, që do t’i kalojnë konsorciumit gjerman “Fraport”, që ka nën pronësi dhe menaxhim aeroportin e Frankfurtit, ndodhen në Greqinë kontinentale.

Ndërsa 11 të tjerët në ishujt e Korfuzit, Kretës, Qefalonisë, Kosit, Mitilinit, Mikonos, Rodosit, Samos, Santorinit, Skiathos dhe Zaqinthos dhe kanë shërbyer vetëm brenda vitit 2015 për lëvizjen e mbi 23 milionë pasagjerëve, prej të cilëve 77% turistë të huaj.

Në kompanitë e menaxhimit të aeroporteve, “Fraport AG” do të ketë shumicën e aksioneve, grupi “Copelouzos” do të ketë pjesën e mbetur, ndërsa pronësia e aeroporteve do të mbetet nën kontrollin e shtetit grek përsa kohë zgjat kontrata. Përveç shumës së konçesionit, qeveria greke do të marrë çdo vit edhe 22.9 mln euro.

Gjithashtu, në marrëveshje parashikohet se konsorciumi “Fraport- Copelouzos” do të investojë një total prej 330 milionë euro në infrastrukturën e aeroporteve deri në vitin 2020, ndërsa në këto dekada do të kete edhe investime të mirëmbajtjes, përmirësimit dhe zgjerimit të aeroporteve të përcaktuara nga evoluimi i trafikut të pasagjerëve që mund të arrrijnë deri në 10 mld euro.

Siç theksojnë drejtuesit e konsorciumit, përfitimet në nivel kombëtar dhe rajonal janë të shumta dhe partneriteti i dy kompanive për këto 14 porta  ajrore të Greqisë, që do të përforcohen me infrastrukturë moderne është një garanci për mbështetjen e suksesshme të turizmit, që është industria e rëndë e Greqisë, veçanërisht në një nga periudhat më kritike që po kalon sot vendi.

Top Channel