48 pikë në 18 ndeshje, 45 gola të shënuar dhe vetëm 9 të pësuar, kjo është ecuria e jashtëzakonshme e PSG, të cilët edhe këtë sezon nuk kanë rivalë në Ligue 1, ndërsa nga ndeshje në ndeshje vazhdojnë të dhurojnë spektakël me gjigandin suedez në krye të sulmit.
Ibrahimovic ishte vendimtar edhe takimin e zhvilluar mbrëmjen e kësaj të diel, ku PSG triumfoi 5-1 ndaj Lionit.
Të besuarit e Blanc e vendosën takimin që në minutën e 17, duke shënuar dy herë. Fillimisht realizoi Ibra e më pas Aurier. I vetmi momenti ku Lioni bëri diçka të mirë në këtë takim ishte minuta e 24, ku Ferri ngushtoi rezultatin në 2-1, por vetëm, kaq.
Në pjesën e dytë, kampionët e Francës arritën të shënojnë edhe tre herë të tjerë. Cavani i çoi shifrat në 3-1 në minutën e 62-të, më pas Ibrahimovic dhe në fund Moura vulos takimin në 5-1.
Me këtë ecuri të deri tanishme në Ligue 1, duket se PSG thuajse e ka siguruar titullin kampion dhe tashmë i duhet të mendojë seriozisht për një paraqitje sa më dinjitoze në Champions, ku rivalët janë të një tjetër niveli krahasuar me skuadrat franceze.
Top Channel