Basha fton qytetarët në protestë: Rama po përçan Shqipërinë

13/12/2015 17:35

Me anë të një postimi në rrjetin social “Facebook”, kreu i opozitës, Lulzim Basha ka ftuar qytetarët t’i bashkohen protestës së 17 dhjetorit.

“Ngrihuni toskë e ngrihuni gegë, ngrihuni shqiptarë t’i tregojmë vendin. Vendimi për largimin e Edi Ramës është popullor, kombëtar dhe i pakthyeshëm! Të enjten më 17 dhjetor para Kuvendit! Shqipëria NGRIHET e nuk prapset. Të gjithë në shesh për të ndalur qeveri-fatkeqësinë”, shkruan Basha.

Më tej në postimin e tij në “Facebook”, Basha ka ngritur edhe një herë akuza ndaj Kryeministrit Rama për ndërtime të paligjshme, ku përmend edhe bunkerin pranë Ministrisë së Brendshme.

“I mbushur deri ne fyt me mllef, urrejtje dhe përçmim për popullin e tij, njeriu që ndërtoi pa leje në mes të Tiranës simbolin e izolimit, terrorit dhe mjerimit, ky që bekoi sarajet pa leje të Kokëdhimës me shokë dhe dhjetëra ndërtime të tjera pa leje të familjarëve dhe klientëve të tij në mes të Parkut të Tiranës, në lulishtet e pallateve të Tiranës, në bregdet e kudo. Ky që për vete ndërtoi një vilë bunker 56, metra të gjatë pa bërë asnjë transparencë para shqiptareve; ky zhvatës përsëritës i përbuzur nga mbarë vendi e kombi, shpreson të gjejë strehë në jug duke sulmuar veriun, por më keq për të”.

Basha shkruan më tej se me Edi Ramën në krye të vendit shqiptarët janë bërë më të varfër, ndërsa e cilëson edhe si “aksident të historisë sonë kombëtare”.

“Ai është njësoi i neveritur, kudo sepse prej dy vitesh shtyp e varfëron çdo shqiptar, në Vlorë, në Sarandë, në Shkodër, Tropojë, Elbasan e Durrës, Korçë e Lezhë. Një i paturp që tregon popullin me gisht si hajdut, por për vete ndalon me ligj hetimin e vjedhjes së shekullit prej 600 milionë euro, ky për të cilin raporti i punës së OSBE shkruan se ka një pasuri prej 200 milionë euro, ky aksident i historisë sonë kombëtare me pasoja të rënda, i fryu sot nga Bregu i Shqiptarisë ndarjes dhe përçarjes midis shqiptarëve”, shkruan lideri i opozitës.

Kreu i PD shkon edhe më tej në shkrimin e tij, duke e akuzuar Edi Ramën edhe për përçarje mes shqiptarëve: “I tmerruar nga një popull i tërë që e njeh si përgjegjësin dhe shkaktarin e krizës më të thellë ekonomike dhe sociale në vend, i zgërlaqur nga mosbindja civile dhe protesta që sa vjen e rritet, ky që ka lënë në baltë gegë e toskë, demokratë e socialistë, ky që i lë ata të vetëvriten e të vdesin së ftohti për 3 mijë lekë, por deputetët e tij kriminelë e kusarë i blaton përditë me tendera, koncesione, laguna, nafte, krom, kontrabande cigaresh dhe emërime të paligjshme, ky pra kujton se do të gjejë shpëtim, duke i fryrë përçarjes e dasisë”.

Top Channel