Pas akuzave të ngritura ditën e diel nga Paria Demokratike në lidhje me ambientet e marra me qira nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, erdhi edhe reagimi zyrtar i OSHEE.
“Partia Demokratike duket sikur e ka identifikuar Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike si kundërshtarin e saj politik dhe nuk lë rast pa shpifur në përpjekjen e dëshpëruar për të lidhur kompaninë me politikën”, thuhet në reagimin e OSHEE.
Duke u ndalur tek ambientet thuhet se, sot mjedisi është i marrë me qira shumë të arsyeshme dhe me procedurë transparente për sistemimin e arkivave, ndërkohë që OSHEE vazhdon paguan një qira marramendëse prej disa vitesh, për shkak të kontratës së lidhur nga qeveria e Partisë Demokratike për godinën e kompanisë.
“Në këtë godinë hapësira e punës për punonjësit është shumë e kufizuar, ndërsa për vendosjen e arkivave situata ishte skandaloze. Në kohën kur kompaninë e administronte Partia Demokratike, arkiva e institucionit konsiderohej si arka mbeturinash që asgjësoheshin, duke i shkaktuar Operatorit të Shpërndarjes probleme të rënda administrimi. Sa për një krahasim informojmë se ndërkohë që kompani të njohura bankash, telekomunikacioni, paguajnë deri në 10 euro metri katror, OSHEE paguan një qira shumë më të ulët prej afro 3.5 euro”, thuhet në njoftimin e OSHEE.
Top Channel