Rama: Qeveria Berisha, konçesione korruptive. Tradhëti shqiptarëve

12/12/2015 11:55

Nga Gjirokastra, ku ishte ndalesa e radhës e turit “Ta pastrojmë më tej Shqipërinë”, kryeministri Edi Rama u është rikthyer akuzave dhe thirrjeve të opozitës për protesta.

“Këta bëjnë thirrje për revolucion, por më thoni ju mua se në ç’vend të Europës dhe Ballkanit ndodhin protesta pse rrite gjobat? Pse dënon ata që vjedhin? Kemi përballë një kundërshtar që thotë çohuni në revolucion se këta duan të bëjnë shtet. Çfarë shteti mund të quhet ai shtet që në mes të Europës, jo vetëm që lejoi, por edhe pranoi vjedhjet e dritave? Ku ndodh kjo, përveçse në një shtet të vënë i tëri në shërbim të partisë në pushtet”, deklaroi Rama.

Kryeministri njohu tërthorazi efektet sociale të reformave, të cilat kanë shkaktuar edhe pakënaqësi, ndaj përpara socialistëve gjirokastritë kërkoi kohë.

“Ne presim e presim prej 20 vitesh dhe tani i duam të gjitha gjërat sot. Nuk bëhen të gjitha gjërat sot. Çdo gjë do kohën e vet”, tha ai.

Kreu i qeverisë ripërsëriti nevojën e një reformimi të brendshëm të Partisë Socialiste jo vetëm për nevojën e kësaj partie, por edhe si mbështetje për të vazhduar me tej me reformat e munguara në 20 vjet, sipas tij.

“Procesi nuk është i lidhur vetëm me nevojën për të hapur, zgjeruar, rritur dhe forcuar Partinë Socialiste, por gjithë ky proces është i lidhur me domosdoshmërinë për të fuqizuar kursin e reformave, përmbajtjen e qeverisjes tonë dhe për të çuar edhe më shumë energji përpara operacionit tërësor që kemi nisur me reformat tona. Është domosdoshmëri që të kuptohet se ka një lidhje të brendshme të rëndësishme mes asaj që bëjmë si forcë kryesore qeverisëse në qeverinë e vendit dhe asaj që ne bëjmë çdo ditë për këtë proces brenda Partisë Socialiste”, deklaroi kryeministri Rama,.

Rama këmbënguli edhe njëherë se Partia Socialiste nuk mund të jetë një trampolinë për t’u hedhur në një vend pune në shtet. Si shembull i kësaj, ai u ndal tek reforma në arsim.

“Kam parë reagime të shpeshta në lidhje me arsimin, por ne jemi krenarë për reformën që po shpëton shkollat nga kthetrat e politikës, deklaroi kryeministri.

Rama kërkoi nga strukturat që të hapen ndaj qytetarëve duke mos e kufizuar anëtarësinë në një fis, lagje apo pallat.

Top Channel