Ditën e shtunë do të hidhet shorti i fazës finale të ”Euro 2016”, ku 24 skuadrat pjesëmarrëse, mes të cilave edhe kombëtarja jonë, do të mësojnë fatin e tyre. Ai që i ka idetë e qarta në prag të këtij shorti është Gareth Bale, i cili nuk e ka fshehur dëshirën që Uellsi i tij të jetë në një grup me Anglinë.
“Do të jem i lumtur nëse do të shoh që shorti do të na vendosë në një grup me Anglinë. Mendoj se mund të fitojmë me “Tre Luanët“, pasi i gjithë presioni do të jetë mbi ta. Ne do të përpiqemi të japim maksimumin me cilindo kundërshtar që do të kemi. Ne do të shkojmë në Evropian për t’u argëtuar, por edhe që të bëjmë vendin tonë krenar”, tha sulmuesi i Realit të Madridit.
Uellsi nuk kualifikohej në fazën finale të një Evropiani që nga viti 1958. Ndodhi këtë vit dhe fatin për ta përjetuar një gjarje të tillë e ka Bale, ndërkohë që emra të tjerë të njohur të futbollit uellsian si Ryan Giggs, Ian Rush apo edhe Mark Hughes dështuan në tentativat e tyre. Bale theksoi se ka besimin se skuadra që drejtohet nga Chris Coleman ka mundësi të shkruajë historinë.
“E di historinë e kombëtares sonë dhe sigurisht nuk është shumë e bukur përsa u përket fazave kualifikuese, por unë gjithnjë kam besuar në arritjen e një suksesi të tillë gjatë gjithë kohës që kam luajtur me Uellsin. Ne ia dolëm mbanë dhe është një arritje e jashtëzakonshme, pasi na ndodh rrallë“, tha Bale.
Top Channel