Autoriteti i Konkurrencës ka nisur menjehërë hetimet ndaj kompanisë së markimit të karburanteve për shkelje të konkurrencës në treg. Kryetarja e këtij institucioni, Lindita Lati tha për “Top Channel” se inspektorët e konkurrencës kanë zbritur në terren për të mbledhur prova.
“Autoriteti i Konkurrencës në zbatim të ligjit për mbrojtjen e konkurrencës në këtë moment sheh nëse kemi të bëjmë me një proces të abuzimit me pozitën dominuese që është të refuzosh të kryesh shërbimin. Inspektorët e konkurrencës në këtë moment janë në terren për të gjetur dhe evidentuar fakte dhe prova dhe për të hedhur dritë se çfarë ka ndodhur pikërisht nga pikëpamja e ofertës dhe kërkesës, nga të dyja pjesët”, tha Lindita Lati, kryetare e Autoritetit të Konkurrencës.
Por veç abuzimit me pozitën monopol, autoriteti do të hetojë edhe shitjen e aksioneve para disa muajsh nga kompania GFI tek Petroleum Consulting Partners. Sipas Latit, ligji i detyron kompanitë që nëse plotësohen disa kushte të njoftojnë autoritetin para shitjes së aksioneve, çka nuk e kanë bërë.
“Nëse plotësojnë 7 miliardë lekë si xhiro vjetore të vitit të kaluar duhet të sjellin njoftimin, për këtë transaksion, pranë Autoritetit të Konkurrencës. Ndryshe ky transaksion nga pikëpamja juridike nëse plotëson kushtet e ligjit për të marrë autorizimin e Komisionit të Konkurrencës është nul. Nuk kemi pasur asnjë lloj njoftimi për këtë transaksion”, thotë Lati.
Në fakt, koncesioni i markimit të karburanteve ka qenë edhe më parë në lupën e konkurrencës, si një marrëveshje problematike.
“Autoriteti i Konkurrencës është shprehur qartas në maj të vitit 2015, me një vendim dërguar autoritetitet kontraktor, konkretisht Ministrisë së Financave ku i kërkon që duhet të realizohet një vlerësim ekspost i performancës së konçesionarit, pasi kërkohet të hidhet dritë nëse ishte vërtetë ajo efiçencë që pritej në treg, apo jo”, vijon Lati.
Ligji i konkurrencës detyron qeverinë apo ministritë që japin koncesione që përpara nënshkrimit të kontratave t’i drejtohen për mendim Autoritetit, por ky detyrim është shkelur në shumë raste.
Top Channel