Kush e kontrollon sot monopolin e markimit të karburanteve në Shqipëri? Edhe pse zyrtarisht tenderi ishte fituar nga “Global Fluids”, tashmë pronare e vetme e këtij shërbimi është “Petroleum Consulting Partners”, e cila zotëronte fillimisht 25 përqind të aksioneve.
Ajo është një kompani e regjistruar në Zvicër në kohën kur qeveria kishte shpallur tenderin për koncensionin dhe në të nuk bëhen publikë se kush janë aksionerët e kompanisë, por deklarohet vetëm përfaqësuesi ligjor.
Në shtator të ketij viti kjo kompani u bë pronare e 99.93 përqind të shërbimit të markimit, duke qenë thuajse pronare e vetme e këtij shërbimi, ndërsa GFI ka mbajtur kuotën simbolike prej 0.07 përqind.
Burime nga Ministria e Financave thonë se kompanitë nuk e kanë patur detyrimin për të marrë autorizim nga Ministria e Financave për këtë transaksion, pasi sipas tyre nuk kemi të bëjmë me hyrjen e një aksioneri të ri, por thjesht me ndryshim kuotash brenda aksionerëve ekzistues.
Sipas burimeve nga financat, detyrimi i vetëm që kompanitë kanë patur është ai i njoftimit të Ministrisë për transferimin e aksioneve dhe këtë e kanë përmbushur.
Tashmë pikëpytja më e madhe në koncesionin e markimit, është se kush e zotëron atë? Më saktë kush janë aksionerët e shoqërisë Petroleum Consulting”?. Ministria e Financave thotë se nuk e ka detyrimin për të dhënë informacion mbi këtë pikë, ndërsa vetë kompania nuk pranon të prononcohet.
Për publikun ky mbetet një koncesion i veshur me mister edhe pse bëhet fjalë për një të drejtë ekskluzive sovrane, aktualisht në duar të panjohura.
Top Channel