Greqia mirëpret “forcën” e re europiane të ruajtjes së kufijve detarë

11/12/2015 00:00

Kryeministri grek, Alexis Tsipras ka mirëpritur propozimet e bëra fillimisht nga Gjermania dhe Franca, për të krijuar një agjenci të Rojes Bregdetare të Bashkimit Europian, për të patrulluar kufijtë e saj të jashtëm detarë, pas pamundësisë së Greqisë për të frenuar rrjedhën e refugjatëve në detin Egje.

Sipas një plani nga Komisioni Europian, kjo trupë mund të krijohet dhe veprojë pa qenë nevoja e një kërkese nga shteti që rrezikohet, ndryshe nga “Frontex”, agjencia kufitare e BE-së tashmë e vendosur në Greqi, e cila duhet të ftohet zyrtarisht nga çdo qeveri.

“Ne mirëpresim vendosjen e një Roje Bregdetare europiane, është i mirëpritur fakti i krijimit të saj dhe forcat greke do të kontribuojnë për këtë. Por, duhet që edhe Europa të përmbushë detyrimet e saj, jo vetëm ndaj Greqisë, por ndaj këtij problemi. Kjo sepse, deri më tani, vendet që marrin pjesë në procesin e pranimit të refugjatëve janë shumë të pakta”, tha kryeministri grek, Alexis Tsipras.

Tsipras, i cili ka kundërshtuar edhe njëherë patrullimin e përbashkët të Egjeut me forcat ushtarake të Turqisë, i bëri thirrje BE-së për të mbajtur angazhimet dhe detyrimet e tij dhe për të përshpejtuar procedurat për zhvendosjen e refugjatëve. Mijëra emigrantë të tjerë ekonomikë nga Pakistani, Maroku, Irani, Algjeria dhe Bangladeshi, të cilët kishin më shumë se 3 javë që qëndronin në kufijtë greko-maqedonas, pasi nuk janë lejuar të kalojnë drejt Europës Qendrore duke u konsideruar si emigrantë “ekonomikë”, janë kthyer nga policia greke në Athinë.

Ky fakt ka ngallur reagimin e 4 bashkive në jug të kryeqytetit, që kanë reaguar për qendrat e pritjes në këto zona, të cilat janë rimbushur me emigrantë, ndërsa edhe opozita ka kritikuar qeverinë për politikën e saj, duke paralajmëruar se Greqia është në rrezik për t’u bërë një strehë për mijëra emigrantë të bllokuar.

“Është e vërtetë se ekziston një rrezik. Nëse ky fluks vazhdon, vendi mund të shndërrohet në një strehë për emigrantët. E pra, vendi nuk duhet dhe nuk do të shndërrohet në një strehë të tillë”, tha kryeministri grek, Alexis Tsipras.

Ndërkohë janë disa media greke që raportojnë se, shumë prej emigrantëve të kthyer nga kufiri greko-maqedonas për në Athinë, janë drejtuar orët e fundit drejt kufirit shqiptar, për të provuar tashmë një rrugë të re drejt Europës, duke kaluar nëpërmjet saj, nga Mali i Zi, Bosnja e më pas në Kroaci.

Top Channel