Edhe Idrizi në takimin PS-LSI. Rakordohen për buxhetin dhe reformën zgjedhore

11/12/2015 12:15

Përpara kalimit nen për nen të buxhetit të 2016-s, krerët e koalicionit të majtë u mblodhën në takimin e kthyer tashmë traditë të së premtes. Takimi mbahet në kohën, kur LSI ka shprehur rezerva për ndarjen e buxhetit për arsimin, shëndetësinë dhe pushtetin vendor.

Por, sipas ministrit të Ekonomisë, të gjitha qëndrimet janë rakorduar në tryezën e aleatëve, të cilës këtë herë i është shtuar edhe kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi. Është rënë dakord – tha Ahmetaj, – për ngritjen e komisionit për reformën zgjedhore, kërkuar nga LSI, ndërsa PS ka marrë garancinë e qëndrimit unik të koalicionit, për buxhetin dhe ligjet që kërkojnë 84 vota.

“U rakorduan tërësisht të gjitha, një e nga një. Kemi një mirëkuptim të plotë brenda aleancës, teksa përgatitemi për votime të rëndësishme, që kërkojnë një shumicë të cilësuar. Ky ishte thelbi i të gjithë diskutimit”, tha ministri Arben Ahmetaj.

Menjëherë pas këtij takimi, Ilir Meta ka mbajtur një fjalim në mbrojtje të buxhetit të 2016-s, në podiumin e seancave parlamentare.

Përpara studentëve të Fakultetit të Ekonomisë, kreu i LSI-së tha se buxheti garanton rritjen ekonomike, por mbetet – sipas tij, – shqetësues borxhi. Duhet të merren hapa – tha Ilir Meta, – për uljen e borxhit, që ai të mos kërcënojë më rritjen ekonomike.

Aleati më i madh në qeverisje me socialistët deklaroi se do të rritet monitorimi i Kuvendit për zbatimin e buxhetit. Çdo 3 muaj – shtoi ai, – do të verifikohet çdo zë i tij.

Megjithatë, Ilir Meta e mbylli me optimizëm qëndrimin e tij të parë publik për ligjin financiar të 2016-s, kur tha se janë të gjitha mundësitë për rritjen ekonomike në 3.4 për qind, ndërsa tejkalimi i tij do të qetësonte edhe skeptikët e opozitës, përfundoi kreu i LSI-së.

Një ditë më parë “Top Channel” zbuloi edhe letër përgjigjen që kreu i grupit parlamentar socialist Gramoz Ruçi, i ka dërguar kreut të Kuvendit Ilir Meta. Ministri Ahmetaj bëri të ditur se njësia e koordinimit u rakordua për votimin e ligjeve të rëndësishme në seancën e 17 dhjetorit, si ajo e pushtetit vendor që kërkon votë të cilësuar, apo dhe diskutimi nen për nen i buxhetit të 2016.

Top Channel