25 vjet nga themelimi i PD, Basha: Të fitojmë betejën me të keqen

11/12/2015 18:50

Partia Demokratike ka festuar këtë të premte 25-vjetorin e themelimit të saj, në një event ku të pranishëm kanë qenë liderët dhe eksponentët historikë të saj, si dhe ata të rinj dhe mbështetës.

Në fjalën e tij, kryetari Lulzim Basha ka vlerësuar arritjet e kësaj force politike ndër vite, si dhe figurat që e kanë çuar atë aty ku është sot.

“Sot kremtojmë 25-vjetorin e themelimit të PD dhe 25-vjetorin e politikës demokratike në Shqipëri. Sot jemi krenarë për arritjet e PD në pushtet dhe opozitë, si dhe të ndërgjegjshëm për sfidat që na presin”, ka thënë Basha.

Sot kujtojmë Azem Hajdarin, Gramoz Pashkon, Pjetër Arbnorin, si dhe Sokol Olldashin, ka vlerësuar kreu i opozitës, për të nënvizuar gjithashtu se sot PD ka përpara edhe sfidën më të madhe: largimin e qeverisë Rama-Meta.

“Ky përvjetor i madh na fton të hedhim vështrimin përpara. Të projektojmë perspektivën duke filluar me të nesërmen e afërt të Shqipërisë, që po vuan e po lëngon pasojat ekzistenciale ekonomike, shoqërore dhe psikologjike të qeverisë më të papërgjegjshme, më të korruptuar dhe më të inkriminuar të tranzicionit. Protesta e madhe e 8 dhjetorit konfirmoi vendimin e madh të qytetarëve shqiptarë në udhëkryqin e ri të demokracisë tonë, largimin e qeverisë Rama-Meta jo thjesht si një qeveri mashtruese, e paaftë dhe e dështuar me mosmbajtjen e premtimeve, por si një qeveri e rrezikshme për vendin dhe qytetarët. Si një rrezik në veprim që rrit në çdo orë e çdo ditë fatkeqësinë për vendin, që provokon ikjen e qytetarëve nga Shqipëria. Të ikë fakteqësi-qeveria, të qëndrojnë shqiptarët! Të bjerë oligarkia, të ringrihet liria dhe demokracia! Ky është vendimi i 8 dhejtorit të dytë që po përhapet në mbarë vendin. Kjo është shpresa, kjo është zgjidhja. PD i prin kësaj stuhije të re të përballjes me të keqen, i prin ëndrrës dhe shpresës së re të daljes në hapësirën dhe standardin demokratik më të përparuar perëndimore. I prin me alternat tonë të re të zhvillimit. I prin e vetëdijshme për misionin e saj hyjnor”, ka deklaruar Basha.

Berisha: Të rrëzojmë qeverinë me mjete demokratike

Më herët ishte kryetari historik i PD, Sali Berisha që shprehu mirënjohjen e tij për themeluesit e saj, ndërsa bëri edhe një ekspoze të arritjeve që PD shënoi gjatë qeverisjes së fundit 8-vjeçare.

“Mirënjohje të thellë Azem Hajdarit, intelektualëve të Tiranës dhe studentëve që 25 vjet më parë i nxorrën shqiptarët nga mbretëria e terrorit dhe themeluan pluralizmin politik dhe PD-në”, tha Berisha.

“Në 8 vjet, ne i nxorrëm shqiptarët nga mjerimi, e integruam Shqipërinë në NATO, në Këshillin e Europës dhe e bëmë kandidate për anëtarësim në BE. Ju garantoj se do të vazhdoj angazhimin tim të përjetshëm për të vazhduar më tej”, theksoi Berisha.

Por të gjitha këto arritje, sipas ish-kryeministrit, janë zhbërë në këto 2 vjet qeverisjeje të PS, e cila sipas tij “duhet të rrëzohet me të gjitha mjetet demokratike”.

“Sot jemi 25 herë më të fuqishëm e më të gjallë për të mbrojtur liritë tona dhe qënien tonë. Ndaj thirrja ime është të ngrihemi në lartësinë e guximit. Ky vrasës i shpresës duhet të marrë atë që meriton, fundin. Edi Rama duhet të rrëzohet me të gjitha mjetet demokratike. Të qerrojmë sa më parë këtë klikë që po shkakton largimin e shqiptarëve”, tha Berisha.

Daul: PD, pjesëmarrje aktive në jetën parlamentare

Në këtë përvjetor pati edhe pëshëndetje të miqve ndërkombëtarë të demokratëve, mes tyre edhe Joseph Daul, president i Partisë Popullore Europiane. Në mesazhin e tij, Daul e vuri theksin tek nevoja e aplikimit nga PD të një opozite të mirëfilltë në jetën politike, përballë asaj që ai e quajti “kriza politike dhe ekonomike që po kalon Shqipëria”.

“Fatkeqësisht arritjet tuaja janë vënë në rrezik nga kriza ekonomike dhe politike që po kalon Shqipëria dhe që po shtyn qytetarët tuaj të largohen nga vendi. Shqipëria është vend kandidat, përfiton prej 2010 nga regjimi i liberalizuar i vizave dhe është e papranueshme që me dhjetëra mijëra shqiptarë të kenë paraqitur këtë vit kërkesë për azil në vendet e BE-së. Një vend kandidat nuk duhet të gjendet kurrë në një situatë të tillë. Në këto rrethana është e nevojshme të merrni përsipër rolin tuaj të opozitës demokratike, duke marrë pjesë në mënyrë aktive dhe të plotë në jetën parlamentare, duke u paraqitur shqiptarëve një alternativë konkrete e të besueshme”, deklaroi Daul.

Në këtë drejtim, ai vlerësoi programin fiskal të parashtruar nga PD më 2 dhjetor, “në mbështetje të sipërmarrjeve, punësimit dhe investimeve të huaja”.

“Ky është roli i opozitës, të punojë në Parlament dhe jo vetëm në rrugë, për të korrigjuar qeverinë dhe për të përgatitur rotacionin. Duhet një punë në ekip dhe periudha në opozitë duhet të jetë mundësia për të fuqizuar partinë, për të përmirësuar praninë në terren dhe për të ushqyer debatin e brendshëm. Po kështu, duhet të vazhdoni luftën kundër korrupsionit, pro shtetit të së drejtës dhe pavarësisë së gjyqësorit. Pa këto nuk do të ketë as progres, as zhvillim ekonomik e social dhe as të ardhme më të mirë për fëmijët tuaj”, vijoi Daul.

PPE, shtoi ai, “do të jetë gjithmonë pranë jush në betejën për të dekriminalizuar politikën dhe për të vendosur vendin në shinat e duhura”.

Të pranishëm në këtë event, Arben Imami dhe Eduart Selami bënë komentet e tyre për situatën aktuale. “Sot krimi është ulur në Kryeministri dhe zgjedhjet e lira janë përdhosur”, tha Imami.

“Sot, pas 25 vjeteve, Shqipëria ka ende nevojë për ripërtëritjen e vlerave demokratike”, tha Selami. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA