Veliaj: Gjobën për PD e firmosa unë

10/12/2015 00:00

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj deklaroi se shkresën për të gjobitur Partinë Demokratike e ka firmosur ai vetë.

Inspektori i Policisë Bashkiake, sipas tij, ishte thjesht përcjellësi, që në rastin konkret, sipas Veliajt, është djali i kryetarit të Partisë Demokratike të Fushë-Krujës.

“Ai i shkreti qëlloi që ishte në turn atë ditë dhe duhej të shoqëronte me fletën e gjobës listën e bashkisë. E mirëkuptoj. Ky është një vend ku presionin e hanë shumë njerëz. Zotëria nuk është fare i Tiranës. Jetonte në Fushë-Krujë, pra vinte nga Tirana si një qokë politike. Fati i tij i zi që të ishte në detyrë kur partia e tij shkatërroi qytetin tonë dhe siç e kërkonte detyra duhej të shoqëronte fletën e gjobës, por siç ju thashë, fletën e gjobës për zotin Basha e kam firmosur vetë dhe kjo nuk ka asnjë dyshim”, tha Veliaj.

I pyetur nga gazetarët lidhur me deklaratën e Bashës për gjobën, Veliaj ka bërë këtë koment: “Kryetari i Partisë Demokratike, mirë që është i paaftë, por flet edhe me gjuhë rrugaçërore. Nëse ke hyrë në bashki si kastravec dhe ke dalë si kastravec, kjo është e vetmja batutë që të vjen në mendje”.

E në fund, kryebashkiaku i Tiranës i ka kujtuar dhe njëherë Partisë Demokratike, afatet për pagimin e gjobës.

“Kanë pesë ditë para se të fillojë kamata, 28 ditë para se t’ju bllokohen llogaritë. Do t’i paguajnë si çeço! Në daç të vijë kastraveci që kanë kryetar partie, në daç dikush tjetër! Si çeço do t’i paguajnë lekët”, deklaroi kreu i Bashkisë së Tiranës.

Më heret gjatë ditës, Veliaj në një takim në Fakultetin e Shkencave Sociale, theksoi se në qytet nuk mund të tolerohen sjellje vandale. Sipas tij, pavarësisht bindjeve politike, qytetarët e Tiranës duhet të mësojnë të bashkëjetojnë në komunitet dhe të ruajnë pronën publike.

Top Channel