Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg është takuar me ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati.
“Qeveria po ndërmerr hapa për të përforcuar kapacitetet e mbrojtjes, duke frenuar rënien e buxhetit dhe duke siguruar një rritje të ndjeshme të tij për vitin 2016”, është shprehur ministri Bushati, në kuadër dhe të angazhimeve të marra në samitin e Uellsit.
Bushati theksoi gjithashtu rëndësinë e vazhdimësisë së politikës së dyerve të hapura për rajonin e Ballkanit Perëndimor, si dhe nevojën për një ndërveprim substancial të institucionalizuar të Aleancës me Kosovën.
Stoltenberg vlerësoi rolin e Shqipërisë në forcimin e stabilitetit dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor, si dhe në kontributin në operacionet e NATO-s.
Ministri Bushati dhe Sekretari i Përgjithshëm Stoltenberg u ndalën gjithashtu tek rëndësia e forcimit të Aleancës dhe thellimit të bashkëpunimit të NATO-s me vende partnere dhe organizata të tjera ndërkombëtare, në rrugën drejt Samitit të Varshavës.
Top Channel