Presidenti Bujar Nishani priti në një takim Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Shqipëri.
Sipas njoftimit të Zyrës së Shtypit të Presidencës, në takim Nishani e vlerësoi shumë të rëndësishme vizitën e Sekretarit të Përgjithshëm Stoltenberg në Shqipëri. Ai vuri në dukje se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO mbetet arritja më madhore e Shqipërisë në 25 vitet e demokracisë dhe se “pas NATO-s, ambicja dhe projekti më madhor për shqiptarët është integrimi në Bashkimin Europian”.
Presidenti Nishani mirëpriti vijimin e politikës së dyerve të hapura të NATO-s. Në këtë kontekst, ai pohoi se Shqipëria e mbështeti plotësisht dhe mirëpriti ftesën për anëtarësim ndaj Malit të Zi, dhe se do të vijojë të japë të gjithë mbështetjen dhe eksperiencën e saj deri në anëtarësimin e plotë në Aleancë.
Duke folur rreth sfidave të përbashkëta, Presidenti Nishani theksoi se mbështet plotësisht rishikimin e buxhetit për mbrojtjen, që shkon në përputhshmëri të plotë me angazhimet e mara nga Shqipëria në kuadër të Aleancës.
Gjithashtu ai vuri në dukje bashkëpunimin dhe koordinimin e shkëlqyer që ekziston mes të gjitha organeve ligjzbatuese shqiptare në lidhje me luftën kundër ekstremizmit dhe terrorizmit, duke arritur rezultate të shpejta e konkrete në lidhje me parandalimin e rekrutimit të të ashtuquajturve “luftëtarë të huaj”.
Nga ana e tij, Sekretari i Përgjithshëmi NATO-s Stoltenberg shprehu mirënjohjen e Aleancës për kontributin e Shqipërisë, përfshirë nëpërmjet mekanizmit të mbrojtjes kolektive. Stoltenberg mirëpriti vendimin e Shqipërisë për rritjen e buxhetit për mbrojtjen dhe vlerësoi rolin kyç të saj në rajon, duke theksuar se NATO do të vijojë të ndihmojë e mbështesë aspiratën Euroatlantike të këtij rajoni përmes procesit të zgjerimit dhe marrëveshjeve të partneritetit, duke respektuar zgjedhjen e çdo vendi.
Ai pohoi se rajoni i Ballkanit Perëndimor vazhdon të mbetet lart në agjendën e NATO-s dhe se mbetej optimist në përballimin e përbashkët e suksesshëm të sfidave të sigurisë së Aleancës.
Top Channel