Reforma zgjedhore, PS i përgjigjet Metës: Zgjidhje edhe nga OSBE e Venecia

10/12/2015 19:40

Pa mbushur 24 orë nga letra e Ilir Metës drejtuar kryetarëve të grupeve parlamentare për nevojën e ngritjes së një Komisioni të Posaçëm Parlamentar për reformën zgjedhore, ka ardhur gatishmëria dhe vullneti politik i Partisë Socialiste për nisjen e kësaj reforme.

Top Channel ka siguruar letrën që kryetari Grupit Parlamentar të socialist, Gramoz Ruçi, i ka nisur kreut te Kuvendit, letër kjo e shoqëruar me një projekt-vendim për ngritjen e Komisionit të Reformës.

Që në fillim të letrës, Ruçi nënvizon se PS është menjëherë e gatshme për fillimin e një procesi gjithpërfshirës për implementimin e e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it. Por, socialistet thonë se janë të hapur edhe për konsultime paraprake midis partive parlamentare, duke iu referuar projekt-vendimit bashkangjitur letrës së dërguar Metës.

Projekt-vendimi ka 12 pika, ku në pikën e 3 sanksionohet detyra parësore e këtij Komisioni për hartimin e amendamenteve për kuadrin ligjor bazuar në rekomandimet e OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e 2013-s dhe ato vendore të 2015-s.

Komisioni, thuhet në projekt-vendim, duhet të drejtohet nga dy bashkëkryetare, një nga PS dhe një nga PD, ndërkohë komisionit do t’i atashohen edhe ekspertë teknikë.

Anëtarësia e Komisionit propozohet të jetë e përbërë nga 5 anëtarë të shumicës dhe 5 të pakicës.

Gramoz Ruçi propozon që “Prezenca e OSBE-s në Shqipëri, ODIHR dhe Komisioni Venecias të ftohen të ndjekin dhe të japin asistencën e tyre në punën e këtij komisioni”.

Në pikën 8 të projekt-vendimit, thuhet se “Çdo parti parlamentare ka të drejtë të propozojë amendamente për diskutim dhe miratim. Shumica parlamentare mirëpret propozimet e pakicës parlamentare të bazuar në rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe palët angazhohen të gjejnë konsensin në lidhje me to.

Për çështje të vecanta, për të cilat palët nuk kanë gjetur konsensus, konsensusi do të kërkohet në asistencën e dhe ekspertizën e OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias.

Ndërkaq, letrës së Metës i është përgjigjur edhe opozita nëpërmjet kreut të Grupit Parlamentar, Edi Paloka.

“Çdo qeveri që do të bëjë zgjedhjet, edhe ajo teknike që ne kërkojmë, sigurisht që do të ketë edhe një Kod të ri Zgjedhor. Ky do të jetë një nga hapat për të shkuar në zgjedhje të lira dhe të ndershme. Pala tjetër është pak e besueshme, por tradita e do që ndryshimi i Kodit të bëhet me konsensusin e të gjitha palëve”, tha Paloka.

Top Channel