Reforma zgjedhore, Meta kërkon ngritjen e komisionit të posaçëm

10/12/2015 10:45

Kreu i Kuvendit Ilir Meta në një letër dërguar krerëve të grupeve parlamentare kërkon nisjen e procesit të reformës zgjedhore. Ai shprehet për ngritjen e një komisioni të posaçëm, sipas eksperiencës së mëparshme.

“Shqipëria, si një vend kandidat për anëtarësimin në Bashkimin Europian, duhet të përqasë legjislacionin e saj zgjedhor me standardet ndërkombëtare më të mira në këtë fushë, në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe transparente me të gjithë aktorët politik dhe institucionet shtetërore të përfshira apo me detyra të caktuara, në procesin zgjedhor. Bazuar në rekomandimet e raporteve përfundimtare të OSBE/ODIHR për zgjedhjet parlamentare të 2013 dhe zgjedhjet vendore të vitit 2015, si dhe të praktikës më të mirë parlamentare, në përgatitjen e ndryshimeve në legjislacionin zgjedhor, do të kërkoja nga ju shprehjen e vullnetit për fillimin e këtij procesi në Kuvendin e Shqipërisë”, thuhet në letrën e z. Meta.

Një proces i kryer në kohë shprehet z. Meta është një garanci për realizimin e zgjedhjeve sipas standardeve ndërkombëtare, dhe në përputhje me rekomandimet e raporteve të OSBE/ ODIHR për zgjedhjet në Shqipëri.

FOTO GALERI
1/2

Top Channel