Koncensionet e naftës, Qeveria ndryshon formulën e kontratës

10/12/2015 15:15

Pas problemeve me marrëveshjet ekzistuese, Ministria e Energjetikës njoftoi se kontratat e reja koncesionare në fushën e naftës do të ndryshojnë për të rritur përfitimin e shtetit. Burime nga Ministria e Energjetikës i thanë Top Channel se ndryshimi kryesor është ai që i jep të drejtën shtetit të marrë të ardhura nga koncesionet e naftës që në vitin e parë të marrëveshjes.

Në kontratat aktuale, kompanitë që shfrytëzojnë naftën shqiptare paguajnë rentën në masën 10% të prodhimit, por jo tatim mbi fitimin. Kjo, pasi modeli aktual i kontratave parashikon që kompanitë paguajnë tatim mbi fitimin, i cili është 50%, vetëm pasi të kenë shlyer të gjitha kostot e tyre.

Por kjo pikë ka krijuar hapwsira të mëdha abuzimi. Edhe pse në treg ka kompani që shfrytëzojnë naftën prej më shumë se 10 vjetësh, asnjëra prej tyre nuk ka paguar tatim mbi fitimin, pasi deklarojnë se ende nuk kanë rekuperuar kostot.
 
Ministria e Energjetikës thotë se në modelin e ri të kontratave, kompanitë e naftës do të detyrohen të paguajnë tatim-fitimi që në vitin e parë. Sipas tyre, nga të ardhurat që kompanitë do të realizojnë nga shitja e naftës, 90% do të lejohen të shkojnë si kosto, ndërsa 10% do të klasifikohen si e ardhur neto, mbi të cilën do të llogaritet dhe paguhet tatim mbi fitimin. Kjo taksë do të jetë shtesë mbi rentën minerare prej 10% e cila mbetet e pandryshuar.

Veç taksës së re, Ministria e Energjetikës thotë se një tjetër element që ndryshon është ai i stabilitetit fiskal. Në kontratat ekzistuese kompanitë janë të mbrojtura për të gjithë jetëgjatësinë e marrëveshjes nga ndryshimet e taksave. Nëse qeveria tenton të ndryshojë taksat, është e detyruar që të kompesojë në masën 100% efektin financiar për kompaninë. Në kontratat e reja periudha e mbrojtjes nuk do të jetë më për gjithë jetëgjatësinë e marrëveshjes koncesionare, por vetëm për 12 vitet e para, çka do të thotë se pas kësaj kohe qeveria mund t’i rrisë taksat mbi kompanitë e naftës pa patur detyrimin t’i kompensojë ato.

Ministria thotë se termat e reja financiare do të zbatohen që në kontratat e tanishme, si ajo me “Delek Group” për bllokun e Dumresë dhe në kontratën me Shell për bllokun 4. Ndërkohë që burime nga ministria thonë se pas përplasjeve të fundit do të rinegociohet edhe marrëveshja me Bankers Petroleum, për të rritur sipas tyre përfitimet e shtetit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA