Historiku i koncesionit, dritëhijet e kontratës së markimit

10/12/2015 00:00

Në vitin 2011, një kompani austriake me emrin “Global Fluid International” i kërkoi qeverisë shqiptare të drejtën monopol të shënjimit të karburanteve. Oferta ishte një propozim i pakërkuar, pra që shërbimi nuk u kërkua nga qeveria shqiptare, por u propozua nga vet kompania, e cila kishte identifikuar në Shqipëri një mundësi për të nxjerrë fitime.

Menjëherë sapo mori propozimin, ish-qeveria – përkatësisht Ministria e Financave, – nisi procedurat për të përgatitur koncesionin. Që në fillim, koncesioni ngriti pikëpyetje dhe dyshime të forta, por qeveria e justifikoi atë me faktin se, delegimi i markimit te privati do t’i jepte fund abuzimeve me cilësinë në tregun e karburanteve dhe do t’i mbyllte shtigjet evazionit.

Pas dy vitesh përgatitjeje, në prill të vitit 2013, vetëm disa muaj para se të largohej, qeveria e miratoi koncesionin, i cili do të zotërohej në masën 75 për qind nga austriakja “Global Fluids”, që e kishte kërkuar atë, dhe 25 për qind nga një kompani tjetër me emrin “Petroleum Consulting Partners”.

Menjëherë pas miratimit, Shoqata e Hidrokarbureve e sfidoi koncesionin në Gjykatën Kushtetuese. Përgjatë kësaj kohe, në vend kishte ndodhur rotacioni politik. Qeveria e djathtë ishte larguar dhe në pushtet kishte ardhur e majta, e cila në opozitë e kishte kundërshtuar fort koncesionin. Por, gjatë zhvillimit të gjyqit në Kushtetuese, qeveria e re ndryshoi kursin duke e mbrojtur koncesionin.

Në vazhdim, Gjykata Kushtetuese e rrëzoi kërkesën e tregtarëve për ta shpallur koncesionin të jashtëligjshëm, duke i dhënë të drejtë qeverisë. Koncesioni i markimit do të dilte nga vëmendja e publikut deri 3 muaj më parë, kur do të shënonte një tjetër zhvillim. “Global Fluids”, shoqëria që kishte kërkuar dhe marrë koncesionin nga qeveria, i shet tërësisht aksionet e saj te “Petroleum Consulting Partners”.

Siç dëshmon dokumenti i QKR-së, transaksioni ka ndodhur në datën 4 shtator të këtij viti dhe “Petroleum Consulting Partners” ka marrë 99.93 për qind të aksioneve, ndërsa austriakja “Global Fluids”, që ishte shoqëria strategjike, ka mbajtur vetëm shifrën simbolike prej 0.07 për qind.

Tre muaj pas këtij transaksioni pa shumë zhurmë, koncesioni i karburanteve bëhet shkak i një krize të paprecedentë, duke ndërprerë aktivitetin e rrjedhimisht edhe furnizimin e vendit me karburant.

Në këtë pikë, pyetja që shtrohet është: A ka lidhje bllokimi i aktivitetit nga koncesionari i markimit me pronarët e rinj të saj? Nëse po, kush qëndron aktualisht pas koncesionit të markimit? Pyetjet mund të marrin përgjigje në ditët në vijim, por në gjithë këtë histori, e sigurt është që disa nga koncesionet po u kushtojnë shtrenjtë qytetarëve.

Top Channel