Përmirësim i gjendjes në OSHEE, Gjermania jep 2 mln euro grant

09/12/2015 00:00

Qeveria gjermane do të mbështesë sektorin energjetik shqiptar me një grant në vlerën e 2 mln eurove që synon të përmirësojë menaxhimin e kompanisë së Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.

“Janë të dedikuara për shërbime konsulence, për shërbime menaxhimi, për të cilat kompania ka aq shumë nevojë dhe që kanë të bëjnë me përmirësimin financiar të shoqërisë, aspektet teknike të shoqërisë dhe përmirësimin e shërbimit të klientit”, tha Damian Gjiknuri, minister i Energjisë dhe Industrisë.

“Do të realizohet kualifikimi i përgjithshëm i punonjësve të OSHEE-së, të cilët do të mbështeten edhe me konsulencë për të marrë vendimet e duhura për investime në mbarë vendin”, tha ambasadori gjerman, Helmut Hoffman.

Qeveria gjermane si partnere kryesore e Shqipërisë në sektorin energjetik ka një portofol të gjerë investimesh nga linja e transmetimit e tensionit të lartë mes Shqipërisë dhe Malit të Zi që pritet të përfundojë në pranverë apo ndërtimi i linjës 110 kv në jug të Shqipërisë. Sipas qeverisë gjermane rentabiliteti i këtyre linjave do të varet nga mirëmbajtja, për të cilën do të shërbejë dhe kjo marrëveshje.

Top Channel