Intervista “rrufe” e Edi Ramës për gazetën gjermane

09/12/2015 18:45

Gjatë hapjes së ekspozitës me 100 piktura dhe vizatime në “Kempl Gallery”, në Mynih, kryeministri Edi Rama dha një intervistë për gazetën gjermane, “Der Freitag”.

Gazetari Alem Grabovac improvizoi një intervistë-pyetësor të shpejtë e me doza humori, duke dashur ndoshta të shmangë fjalimet standarde, të gjata e të lodhshme të politikanëve.

Rama pyetet për artin, sportin, politikën, besimin, familjen, marrëdhëniet në rajon, Europën e shumë të tjera.

Më poshtë intervista:

Gazetari: Zoti kryeministër, shefi juaj i protokolit më tha që nuk keni kohë për intervistë dhe për këtë unë po lë menjëanë listën e pyetjeve të parapërgatitura dhe sugjeroj që unë të them një fjalë-çelës dhe ta komentosh jo më gjatë se 3 fjali. Jeni dakort me këtë formë interviste?

Edi Rama: Po, pse jo! Le ta provojmë.

Gazetari: Shumë bukur! Fillojmë atëherë. Fjala-çelës e parë: Nënë!

Edi Rama: Nëna ime?

Gazetari: Po, nëna juaj.

Edi Rama: Gruaja më e mrekullueshme.

Gazetari: Babai?

Edi Rama: Dikush që kishte mendime dhe besime të ndryshme nga unë, por që njëkohësisht më lejoi mua të kisha besime dhe mendime të ndryshme nga ai.

Gazetari: Basketboll?

Edi Rama: Suksesi gjendet tek shpirti i skuadrës. Aty duhet të përqendrohesh. Kjo doktrinë është jashtëzakonisht e rëndësishmë edhe në politikë. Në parti, apo edhe në drejtim të një vendi, duhet të mbështetesh tek një skuadër e mirë.

Gazetari: Ndeshja më e mirë?

Edi Rama: Kur shënova pikët më të larta, kundër një kundërshtari shumë herë më të fortë. Luanim kundër Turqisë. Humbëm gjithsesi.

Gazetari: Kuzhina shqiptare?

Edi Rama: Nëse gatuhet siç duhet, është njëra nga më të shijshmet në botë.

Gazetari: Pjata e preferuar shqiptare?

Edi Rama: Çdo gjë që më ka gatuar gjyshja.

Gazetari: Ushqimi juaj i preferuar?

Edi Rama: Kuzhina e gjyshes time ishte e veçantë dhe për këtë nuk kishte më keq apo më mirë.

Gazetari: Shqipëria, e korruptuar, e kriminalizuar dhe që ecën prapa?

Edi Rama: Këto janë stereotipe të pandreqshme. Shqipëria nuk është veç zi, një tokë e së keqes! Është një vendi i qeshur mesdhetar me plot diell, mikpritje dhe bukuri natyrore. Shqipëria ofron shumë si nga ana humane ashtu edhe nga ajo natyrore dhe ka ndryshuar krejtësisht në këto 25 vite.

Gazetari: Çfarë mund të mësojmë nga Shqipëria?

Edi Rama: Në vendin tonë, njerëzit janë tolerantë ndaj çdo besimi. Shqipëria është një shembull perfekt që toleranca fetare është e mundur.

Gazetari: Refugjatët shqiptarë?

Edi Rama: Një burim njerëzor i mrekullueshëm për vendin që i mirëpret. Si emigrantë, shqiptarët kanë treguar se çfarë janë në gjendje të bëjnë kur kushtet ekonomike dhe politike janë të duhurat.

Gazetari: Mesdhe apo Ballkan?

Edi Rama: Jemi të dy.

Gazetari: Europa?

Edi Rama: Një projekt madhështor, i cili po kalon përmes një faze të vështirë.

Gazetari: Pse të vështirë?

Edi Rama: Mungon një afrim strategjik.

Gazetari: Angela Merkel?

Edi Rama: Aktualisht, personi i vetëm që mund të udhëheqë Europën

Gazetari: Aleksandar Vuçiç?

Edi Rama: Një djalë i mrekullueshëm.

Gazetari: Serbia?

Edi Rama: Një armik i dashur.

Gazetari: Kosova?

Edi Rama: Tokë dhe shpirt shqiptar.

Gazetari: Droni në Beograd?

Edi Rama: Një argëtim i keq dhe i hidhur.

Gazetari: Shqipëria e Madhe?

Edi Rama: Një mit i shekullit të kaluar.

Gazetari: Politikë apo art?

Edi Rama: Politika është beteja ime, arti dëshirat dhe lutjet e mia. Këto nuk ngatërrohen me njëra-tjetrën, plotësojnë njëra-tjetrën.

Gazetari: Kryeministër?

Edi Rama: Një privilegj i madh. Çmimi më i madh që një njeri mund të marrë nga qytetarët e tij dhe në të njëjtën kohë edhe një peshë e rëndë përgjegjësie.

Gazetari: Pika juaj e dobët?

Edi Rama: Kam qenë dhe jam shumë keq në matematikë.

Gazetari: Besimi fetar?

Edi Rama: Katolik.

Gazetari: Shqipëria në 10 vjet?

Edi Rama: Një vend anëtar në Bashkimin Europian dhe ku njerëzit mund të jetojnë, punojnë dhe zhvillohen në vendin e tyre.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA