Basha: Ne frenuam zemërimin ndaj një tiranie krimi e korrupsioni

09/12/2015 12:50

Lulzim Basha u distancua plotësisht nga protestuesit, që gjuajtën me gurë drejt Kryeministrisë. Nuk mohoi se ata ishin demokratë, por sërish meritën e frenimit të përshkallëzimit të veprimeve ua dha demokratëve.

“Është falë Partisë Demokratike që dje ajo zemëratë e madhe popullore, që mund të merrte përpara jo një por 10 Kryeministri u përmbajt. Që edhe në ato raste për të cilat shpreh keqardhjen, të përdorimit të gurëve që nuk ka qenë në asnjë moment pjesë e skenarit tonë, ndërhynë strukturat tona dhe bënë që kjo protestë, më e madhja zemëratë popullore e mbledhur ndonjëherë në “Dëshmorët e Kombit”, prapë se prapë nuk u prek një fije floku e një oficeri apo punonjësi policie. Jam krenar për këtë, sepse është një standard dhe zotim i PD-së. Institucioni është policia”, tha Basha.

Por për atë çfarë ndodhi me bunkerin nuk ka asnjë keqardhje, asnjë ndjesë. Përkundrazi, duke përdorur fjalorin e Gjergj Fishtës akuzoi qeverinë se, në paligjshmëri ishte ajo vet, bashkë me kryeministrin.

“Është i paligjshëm sepse është ndërtuar në kundërshtim me ligjin urban të Shqipërisë. Në kundërshtim me planin urban të Tiranës, kushtetuta urbane e kryeqytetit dhe Tirana u përket qytetarëve të saj, jo shakllabanit që mendon se e ka telajo të tijën. Përveç kësaj është ilegjitim sepse është një provokim i rëndë jo vetëm ndaj të përndjekurve, por ndaj gjithë shqiptarëve. Ndaj unë shpreh sot mirënjohjen më të thellë dhe përkulem me nderimin më të madh para heronjve që e kallën dje në flakë simbolin e diktaturës”, tha më tej Basha.

Ndërsa për gjobën e Bashkisë së Tiranës kishte vetëm ironi.

Por tani që nuk ka më bunker, a do të ketë më protesta?

“Protestat do të vazhdojnë pa pushim, mosbindja civile vetëm sa ka nisur”, deklaroi Basha.

Ende nuk ka një datë të lajmëruar për protestën e ardhshme, por Lulzim Basha tha se, qëllimi është i pandryshuar, qeveri teknike dhe zgjedhje të parakohshme, me synimin për të shembur sistemin e e kalbur aktual dhe për të ndërtuar një republikë të re.

“Ajo që na kërcënon nuk është një formacion politik. Jo, aspak. Është një tirani e re, tirania e hajdutërisë. Jam i vendosur t’i prij kësaj beteje historike për rikonceptimin e një republike të re dhe me standarde të dënimit të rreptë të korrupsionit të politikanëve, pa dallim bindjesh politike apo partish politike që fusin duart në xhepat e qytetarëve. Për këtë kontratë të re kërkoj bashkimin e shqiptarëve në protestat e ardhshme, të cilat do t’i prijmë deri në largimin e kësaj qeverie”, tha Basha.

Top Channel