SHBA dënojnë dhunën: PD t’i refuzojë këto akte. Protestat, paqësore

08/12/2015 00:00

Për ngjarjet e ditës së sotme gjatë protestës së opozitës, të mbajtur përpara Kryeministrisë e të devijuar më pas edhe përpara godinës së Ministrisë së Brendshme, ku u shfaqën akte të dhunshme nga protestuesit duke i vënë flakën bunkerit, ka reaguar edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë.

Përmes një komunikate për mediet, Ambasada amerikane dënon dhunën e shfaqur gjatë protestës së sotme. “E drejta e qytetarëve për t’u mbledhur, për t’i bërë kërkesa qeverisë dhe për të protestuar paqësisht, është simboli i një shoqërie të lirë dhe të shëndetshme. Sidoqoftë, akte të tilla si hedhja e gurëve, vënia e flakës ndaj strukturave shtetërore dhe dëmtimi i pronës publike nuk përputhen me vlerat demokratike”, thuhet në komunikatë.

Më tej, Ambasada e Shteteve të Bashkuara vijon me thirrjen e drejtuar Partisë Demokratike të Shqipërisë, por edhe të gjitha partive të tjera, që t’i hedhin poshtë këto akte të dhunshme dhe të marrin të gjitha masat e nevojshme, që në të ardhmen të sigurohen se protestat do të mbeten paqësore dhe konstruktive.

Top Channel