Demokratët e Vlorës janë nisur mëngjesin e së martës drejt kryeqytetit për t’iu bashkuar protestës së opozitës. Nisja ishte planifikuar me autobusë të vënë në disposicion në lagjen e Skelës, në qendër të qytetit, por edhe në Novoselë.
Rreth 500 persona mendohet të jenë nisur prej Vlorës me 5 autobusë 50-vendësh dhe dy minibusë. Dy autobusë të tjerë konfirmohet se janë nisur ndërkohë nga Novosela.
Nisja drejt Tiranës është shoqëruar edhe me masa të rrepta sigurie. Policia e Vlorës ka kërkuar të kontrollojë kartën e identitetit të çdo protestuesi, me qëllim identifikimin e tyre dhe moslejimin e eksponentëve kriminalë t’i bashkohen opozitës.
Kjo ka sjellë edhe përplasje mes kreu të opozitës në Vlorë dhe policisë, pasi efektivët u kërkuan qytetarëve që nuk kishin dokument identifikimi të zbrisnin. Kjo ka sjellë një vonesë prej 1 orë e gjysmë të nisjes, që ishte planifikuar në orën 6 të mëngjesit.
Krahas autobusëve, udhëtimi drejt kryeqytetit është bërë edhe me makina private, çka e çon pjesëmarrjen e vlonjatëve në protestë në rreth 1.000 persona.
Top Channel