Protesta e opozitës, Rama: Vandalizëm mizerabël

08/12/2015 14:55

Vandalizëm mizerabël e ka quajtur protesën e sotme të opozitës kryeministri Edi Rama, në një reagim të tijin në Facebook.

“Ç’shëmti e trishtueshme, mu në Ditën Kombëtare të Rinisë, të shohësh PD e sotme të mbytur në pellgun e një vandalizmi mizerabël, teksa kujton lëvizjen studentore që shembi regjimin komunist e i dha jetë vetë Partisë Demokratike, pa thyer asnjë xham”, shkruan Rama.

Ai vijon më tej duke u shprehur se është “shëmti e trishtueshme” të krahasosh protestën e 25 viteve më parë, me “këtë shfaqje të vobektë të politikës së ngjirur të PD-së”.

“Ç’shëmti e trishtueshme të krahasosh protestat e zemrave plot dritë, pasion, qytetari, ironi e humor të 25 vjetëve më parë, me këtë shfaqje të vobektë të politikës së ngjirur të PD-së, e cila sot përpëlitet mes baltës së mendjeve të errëta të Shqupit dhe një tufë të verbërish të cilët shajnë në hava, thyejnë xhama kot më kot, ndezin zjarre kuturu e dëmtojnë qorrazi, pronën publike në mes të bulevardit të Shqipërisë”, vijon më tej Rama.

Duke atakuar opozitën, Rama shprehet se PD është katandisur në një hije të vetvetes që përpqiet ta ringjallë shpresën me sharje, e besimin ta rifitojë me gurë. Djegien e bunkerit, kryeministri e ka krahasuar me egërsinë primitive që digjte e shkatërronte regjimi komunist.

Po përmes rrjeteve sociale, ka reaguar edhe deputeti socialist, Erion Braçe. “Barbarët po shkatërrojnë qytetin! Për shumë më pak se kaq, Sali Berisha vrau katër qytetarë më 21 Janar. I pushkatoi si fashist! Tanu u bë boll! Duhet drejtësi!”, shkruan Braçe.

STATUSI I PLOTE I RAMES NE FACEBOOK

Ç’shëmti e trishtueshme, mu në Ditën Kombëtare të Rinisë, të shohësh PD e sotme të mbytur në pellgun e një vandalizmi mizerabël, teksa kujton lëvizjen studentore që shembi regjimin komunist e i dha jetë vetë Partisë Demokratike, pa thyer asnjë xham

Ç’shëmti e trishtueshme të krahasosh protestat e zemrave plot dritë, pasion, qytetari, ironi e humor të 25 vjetëve më parë, me këtë shfaqje të vobektë të politikës së ngjirur të PD-së, e cila sot përpëlitet mes baltës së mendjeve të errëta të Shqupit dhe një tufë të verbërish të cilët shajnë në hava, thyejnë xhama kot më kot, ndezin zjarre kuturu e dëmtojnë qorrazi, pronën publike në mes të bulevardit të Shqipërisë

Ç’shëmti e trishtueshme të shohësh 25 vjet pas krijimit të saj si forcë e shpresës, besimit dhe vullnetit europian të shqiptare, një PD të katandisur në hije e vetvetes, që shpresen e vdekur përpiqet ta ringjallë me sharje; besimin e humbur rreket ta rifitojë me gurë e shishe benzine mbi investimet publike; vullnetin europian të shqiptarëve kujton se e mishëron duke shkatërruar dy instalacione të artit urban – me të njëjtën egërsi primitive që do t’i digjte e shkatërronte në fakt dhe fatkeqësisht edhe regjimi komunist.

Keqardhje e sinqertë për të verbërit e shkretë që s’dinë se ç’bëjnë me gurë e hekurishte nëpër duar.

Neveri për politikën e ngjirur të një Partie Demokratike në shthurrje të vazhdueshme, pa vizion, pa lidership, pa asnjë alternativë qeverisëse dhe, fatkeqësisht, edhe pa asnjë lidhje me kohën europiane të Shqipërisë e as me ëndrrat, shpresat, problemet e hallet e sotme të shqiptarëve.

Top Channel