Protesta e opozitës; fjalimet e Bashës dhe të tjerëve

08/12/2015 00:00

Partia Demokratike ka mbajtur para selisë së Kryeministrisë manifestimin e paralajmëruar kundër qeverisë dhe politikave represive të saj, që sipas opozitës po zhvasin dhe varfërojnë qytetarët.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në fjalën e tij e ka cilësuar këtë manifestim si një referendum që do të sjellë largimin e qeverisë Rama-Meta dhe krijimin e një qeverie teknike, që do të pasojë me zgjedhjet.

“Sot në ditën tonë më të bekuar, jemi mbledhur në këtë marshim madhështor proteste, në këtë referendum të qytetarëve të lirë për të kërkuar, për të diktuar me fuqinë e bashkimit të zemrave dhe mendjeve tona, largimin e qeverisë Rama-Meta dhe krijimin e një qeveri teknike që do të bëjë gati zgjedhjet e parakohshme parlamentare”, ka thënë Basha.

Për kreun e demokratëve, koha nuk pret dhe maxhoranca e dogji mandatin e vet 4-vjeçar. “Qeveria e Edi Ramës dhe Ilir Metës e dogji në 2 vjet mandatin e vet 4-vjeçar ndaj duhet të largohet”, ka thënë Basha.

Dy janë rrugët që kanë shqiptarët, sipas kreut të opozitës. “Ose të rrëzojmë qeverinë e fatkeqësisë, ose të pranojmë rrëzimin e Shqipërisë. Ose të reagojmë sot, ose nesër do të jetë vonë. Rrugë të mesme nuk ka! Nuk duhet t’i japim më kohë qeverisë së Edi Ramës me 40 hajdutë. Pritja e mbaroi kohën e saj”, është shprehur kreu i demokratëve.

Shefi i opozitës është ndalur edhe tek akuzat që Partia Demokratike lëshon në drejtim të kabinetit qeveritar për korrupsion me tenderat dhe atyre ndaj ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri për lidhje me trafikun e drogës. “Janë një bandë që nuk kanë ndërmend të ndalen po nuk i ndalëm ne sot”, ka thënë ai.

Këtë protestë, Lulzim Basha e sheh si nisjen e asaj që e quajti stinë protestash që do të ndalet vetëm me arritjet e objektivit: largimin e qeverisë. “Ky është fillimi i protestave popullore që nuk do të ndalet deri në largimin e qeverisë. Largimi është zgjidhja! Mosbindja civile ka nisur”, ka shtuar Basha.

Gjatë manifestimit, disa protestues kanë djegur pankarta me foton e kryeministrit Rama, të tjerë kanë hedhur vezë dhe shashka gazlotësjellëse ndaj selisë së Kryeministrisë, ndërsa të tjerë kanë tentuar të ngjisin shkallët e godinës.

Ndërsa më herët, duke marrë fjalën i pari në këtë manifestim, deputeti demokrat Gent Strazimiri përsëriti akuzat e njohura të opozitës se, qeveria aktuale ka sjellë krimin në pushtet, duke e kthyer atë në sistem.

“Atdheun tonë sot e plagosën sërish. Po na qeverisin tutorë e kriminelë. Sot fillojmë nga ky shesh rrugëtimin tonë për t’i thënë ndal kthimit të së shkuarës. Sa më shumë të bëhemi bashkë, aq më shumë shpresa do të ngjallim. Nuk ndërrohet atdheu, por qeveria”, tha Strazimiri.

Edhe pse qëndroi në të njëjtat linja, deputeti tjetër Arben Ristani e vuri theksin edhe tek emigrimi i shqiptarëve drejt vendeve të Perëndimit, eksod që sipas tij po shkaktohet nga zhvatja që qeveria po u bën qytetarëve.

“Shqiptarët sot po ikin nga vendi për shkak të Edi Ramës dhe Ilir Metës. Shqiptarët ikin e varfërohen, ndërsa Rama, Meta dhe Beqaj pasurohen me qindra milionë euro. Vetëm me aferën e CEZ Rama dhe Meta kanë siguruar 600 milionë euro të tjera”, deklaroi Ristani.

“Kriminelët sot duhet të ishin në burg dhe jo në Parlament. Ky është turp i madh. Nuk mund ta durojmë këtë zhvatje e këtë vjedhje që po sjellin rrënimin”, shtoi Ristani.

Stafetën e fjalimeve e mori deputeti Flamur Noka, i cili u shpreh se, qeveria e sotme fut në burg fukarenjtë dhe jep liri për trafikantët, banditët dhe kriminelët.

“Ata po vjedhin paratë që duhet të shkojnë tek xhepat tuaj dhe të çdo shqiptari. Sot jemi përballë të njëjtit regjim me atë të diktaturës, sepse kemi përballë djemtë e tyre bastardë”, tha Noka.

Ky kryeministër, vijoi ai, është i lidhur me krimin, i kapur nga krimi dhe i mbytur nga korrupsioni. “Këta janë njerëz që kanë ngritur krimin në pushtet dhe në sistem. Ne jemi mbledhur sot këtu për të thënë se zot të këtij vendi janë shqiptarët dhe jo trafikantët. Ta rrëzojmë këtë regjim, më bastardin që ka parë kjo Shqipëri”, tha më tej Noka.

Në fjalën e saj, eksponentja e PD, Grida Duma vlerësoi se zija e varfërisë ka pllakosur sot familjet shqiptare. “Varfëria nuk ka ngjyrë partiake, por është e zezë dhe ndodhet mes shqiptarëve. Shqiptarët po prekin sot fundin me varfërinë e tyre”, u shpreh Duma.

Nuk mund të vjedhësh miliona me tendera, theksoi ajo, dhe nga ana tjetër të shkelësh besimin e 1 milion shqiptarëve që dhanë votën. “Por ky nuk është fundi i shqiptarëve, ky është fundi i kësaj qeverie”, shtoi Duma.

Protestës i është bashkuar edhe djali i Azem Hajdarit, Kiri Hajdari, i cili në fjalën e tij u shpreh se, ndryshe nga sa kishte premtuar, kjo qeveri nuk po punon për qytetarët dhe rininë.

“T’i themi ndal dhunës dhe terrorit të kësaj qeverie. Edi Rama nuk mund të jetë kryeministër i Shqipërisë, ai është kryeministër i një grupi biznesmenësh. Edi Rama nuk punon për studentët, sepse ai u mbylli atyre universitetet. Të risjellim lirinë dhe demokracinë”, tha Hajdari i ri.

Duke marrë fjalën, deputeti Astrit Patozi hodhi një sërë akuzash ndaj qeverisë, të cilën e cilësoi “të korruptuar dhe të pashpirt”.

“Qytetarët e kanë bërë lanet me kohë këtë qeveri kusarësh dhe të paaftësh. Sot jemi në buzë të greminës për shkak të kësaj qeverisjeje barbare, që vetëm vjedh dhe u tregon burgun qytetarëve. Rama dhe Meta e trajtojnë Shqipërinë si një mall pa zot, ku mjafton të ngjitesh për ta dominuar. Por Rama dhe Meta nuk e kthejnë dot diktaturën e vjetër edhe po të duan. Ne nuk duhet të ndërrojmë vendin, por shkakun e dëshpërimit të qytetarëve: qeverinë e korruptuar”, tha Patozi.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel